29,03,2024

Arsimtarët në grevë, nëse nuk tërhiqet Projektligji për Pagat

Must Read

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka paralajmëruar grevë në sistemin e arsimit nëse qeveria nuk tërheq një projektligj me të cilin synon ta rregullojë çështjen e pagave.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK, tha të premten se SBASHK-u do t’ia dorëzojë një letër kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, me kërkesën që ky projektligj të tërhiqet dhe të rishqyrtohet.

Ai tha se javën e ardhshme do të kontaktohen edhe grupet parlamentare në Kuvend që ta parandalojnë këtë ligj që të shkojë në parlament.

Nëse kjo nuk do të ndodhë Jasharaj paralajmëroi grevë në sistemin e arsimit.

“SBAShK-u është i gatshëm që në shenjë të kundërshtimit të marrë masa dhe ta ndërpresim mësimin duke shpallur grevë me afat të pacaktuar”, tha Jasharaj.

Projektligji, sipas kryetarit të SBAShK-ut, degradon profesionin e mësimdhënësve dhe titujt e tyre.

“Ky projektligj, sidomos shtojca tabelare, e degradon, e nënçmon shumë vet profesionin e mësimdhënësit dhe gradat e tij akademike, shkencore duke filluar nga universiteti e deri te çerdhet”, tha Jasharaj.

Sipas projektligjit të pagave janë paraparë 45 grada dhe 11 koeficientë duke filluar nga koeficienti më i vogël 1 e deri te koeficienti më i lartë 11, koeficiente këto që do ta japin shumën e caktuar të pagave për këto 45 gradime. Dhe sipas koeficientëve mësimdhënësit e Kosovës kanë koeficient 1.75.

“Nga analizat e gradave dhe koeficientëve kemi nxjerrë një mesatare dhe koeficienti mesatar do të ishte 4.2. Fatkeqësisht mësimdhënësit e Kosovës nuk janë as te kjo mesatare e koeficientit, por koeficienti për ta parashihet të jetë 1.75, që është më pak se gjysma e mesatares së koeficientit 4.2” u shpreh i pari i SBASHK-ut.

Ai tha se nëse miratohet ky projektligj ka gjasa që pagat e mësimdhënësve të zvogëlohen, në bazë të koeficientëve që i kanë.

Në shtojcën tabelare ku janë të ranguar profesionet në bazë të gradave dhe të koeficientëve në vendin e parë është Presidenti i Kosovës me koeficient 11, i ndjekur nga kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 10. Ndërsa me koeficientin më të ulët, pra me koeficient 1 janë ranguar pastruesit, korrierët, kamarierët, autolarësit dhe rrobalarësit./kallxo.com

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Kuvendi i Komunës së Ferizajt diskuton për raportin e punës për vitin 2023

Këtë të premte është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizaj e kryesuar nga kryesuesi Xhavit...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img