27,12,2024

Zotëri Jakup Krasniqi,po gabon shumë.Të lutem mos ma merr respektin që kam për ju!

Must Read

Dje isha pjesë e delegacionit të ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt, jo të tubave siç keni shkruar ju, sepse vet keni deklaruar madje në Kuvend të Republikës së Kosovës se kjo fjalë nuk është e gjuhës shqipe, që patëm rastin të takohemi me z.Kadrei Veselin, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ishte një takim shumë miqësor, me ç’rast z.Kadri Veselin e informuam në mënyrë të detajuar me dokumentacionin e nevojshëm si dhe për tërë procedurat e deritashme të Fabrikës së Gypave, deri në Vendimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Jam i habitur shumë me lehtësinë tuaj të keqinterpretimit dhe të shtrembërimit të fakteve, madje edhe duke bërë një deklaratë tejet të rrezikshme se “Nëse Kryetari thirret në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai është antikushtetues, pasi nuk ka pasur parasysh asnjë ligj që rregullon lëndën e privatizimit ?!”.

Si ka mundësi të keni harruar ju z. Krasniqi, një fakt shumë të rëndësishëm, që gjatë mandatit tuaj si kryetar i Kuvendit, edhe ju na kishit takuar dy herë në zyrën tuaj, dhe çuditërisht atëherë nuk i keni thënë ato që i thatë dje në reagimin tuaj.

Ju jeni historian dhe duhet ta dini që faktet e shkruara evidentohen aty ku thuhen, siç është rasti edhe në Seancat e Kuvendit të cilat i keni kryesuar për shumë mandate. Gjatë mandatit tuaj si kryetar, pra i të qenurit në pushtet, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajt tri seanca, më 21 shkurt 2013, ka nxjerrë një REKOMANDIM, më 23 janar 2014, RIKONFIRMIM të REKOMANDIMIT dhe më 19 mars 2014, ka nxjerrë një VENDIM lidhur me pagesën e borxhit ndaj 912 ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt, madje edhe duke përcaktuar edhe afatet dhe dinamikën e shlyerjes së këtij borxhi.

Në këto seanca, keni marrë pjesë dhe keni votuar edhe ju, PËR, këto dokumente. Në seancën e 21 janarit ju keni deklaruar : “ Kryetari (J.K): Nuk kemi të lajmëruar për diskutim. Tani kemi një vendim prej pesë pikave, por kemi edhe një dallim mes grupeve parlamentare pa hyrë në këto vendime të gjykatave, a janë të drejta a s’janë të drejta, mendoj që Kushtetuta e thotë shumë qartë atë që duhet thënë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

S’ka tjetër shpjegim për këtë çështje. Ne s’po kërkojmë kurrgjë tjetër, s’po ndërhyjmë në organet tjera, por po kërkojmë përmbarimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që është obligativ për institucionet përkatëse”.

Ju atëherë nuk e keni thënë se “aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, është antikushtetues“, por personalisht ju keni kërkuar përmbarimin e Vendimit (Aktgjykimit) të Gjykatës Kushtetuese, i cili pra për ju dhe deputetët e Kuvendit ishte kushtetues, dhe kërkohej vetëm zbatimi i tij.

Përveç kësaj, ju tinëzisht tentoni të ia amputoni diçka z. Kadri Veseli, që nuk e ka thënë ashtu siç e keni nxjerrë nga konteksti i fjalisë.

Ai, pra Kadri Veseli theksoi “rëndësinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Legjislaturës IV, i datës 19 mars 2014,(që ju e keni kryesuar, vërejtja ime) dedikuar Fabrikës së Gypave, duke theksuar se nuk mund të merret me komentimin e kësaj çështjeje kur tashmë një vendim i Kuvendit ekziston.

Kryetari Veseli ka shtuar se vendimet e gjyqit nuk do të duhej të ishin temë e rivlerësimit dhe theksoi se do të angazhohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje”.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave të Ferizajt kan një problem të vetëm z. Jakup, ate të pagesës së këtij borxhi.

Është kundër kushtetuese, kundër ligjore, e padinjitetshme, e pamoralshme, jo humane dhe jo civilizuese një trajtim që po i bëhet këtyre ish-punëtorëve. Nuk kanë nevojë edhe për një fyerje, përbuzje dhe për një përçmim të cilin ju padrejtësisht po ia bëni.

Ju lutem, mos e politizoni këtë rast, jemi lodhur shumë, kanë vdekur gati gjysma e këtyre punëtorëve, disa dje dhe sot janë ndjerë shumë keq, madje kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore nga fjalët tua të idhëta z. Jakup Krasniqi.

Ju lutem, BOLLNI MA !!! NUK UA KEMI BORXH EDHE KËTË !!!

P.S. Nuk jam anëtarë i asnjë partie politike që funksionojnë sot në Kosovë. Kam marrë pjesë në të gjitha protestat e organizuara nga Opozita e bashkuar. Pas shpërbërjes së saj dhe pas paraqitjeve të tilla diletanteske, keni zbehur shumë përkrahjen time !

TË LUTEM EDHE NJË HERË, MOS MA MERR RESPEKTIN QË KAM PËR JU !

Jakup Krasniqi Pa dashur me hyrë në polemik, po e them vetëm ketë. Gjykata Kushtetuese ka për detyrë dhe obligim interpretimin e frymës se Kushtetutës. Çështja e punëtorëve të Fabrikës suaj, as që është dashur të vije në Kuvend as atëherë e as tash. Po ata që u kanë mashtruar atëherë po ju mashtrojnë edhe sot! Kushdo ka të drejtë të mashtrohet! E di që e vërteta për shumë është e pa dëshirueshme!

 

Ali Shabani : Pavarësisht kësaj, edhe ju ishit pjesë e atij pushteti, nuk flisnit atëherë kështu. Keni mundur t’i thoni këto atëherë, tash nuk është korrekte.

Jakup Krasniqi : Unë, vërtetë nuk ua kam thënë, po realiteti po ua thotë. Unë po u them: jeni mashtruar atëherë do të mashtrohi edhe në të ardhmen. Është mirë të pyesni njerëz që ua thonë të vërtetën, nëse jeni të interesuar! Po ua përsërisë edhe juve. Me veprime të ngjashme si me listat e veteranëve dhe mashtrimeve të ngjajshme, jo vetëm që nuk bëhet shteti, por ai falimenton.

Ali Shabani : Është mirë z.Krasniqi të tregoni cilët apo kush janë ata njerëz që po e ditkan të vërtetën dhe të përfundoj kjo ODISEJADË. Me këtë, i jap fund kësaj polemike.

Shkruan  Ali Shabani

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img