Ferizaj.06.02.2018. Zonat e rrezikuara nga vërshimet në komunën e Ferizajt, kryesisht ato të zonës së fshatrave Tërn, Bablak dhe Luboc janë parë si zona me prioritet për intervenim nga Komuna e Ferizajt.
Për këtë drejtor të Drejtorive komunale, Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës, Arben Halili,Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave dhe Burim Bajrami,Drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, sot kanë vizituar fshatrat e prekura nga vërshimet pas reshjeve të fundit.
“Sot kemi vizituar zonat e prekura nga vërshimet, të cilat me vite po përballen me vërshime e që shumë herë po përcjellën me dëme të mëdha edhe në sektorin e bujqësisë. Pas vizitës jemi duke hartuar projektin përmes të cilit do të bëhet një zgjidhje që këtyre fshatrave tu dilet në ndihmë me problemin e vërshimeve. Së pari në këtë pjesë do të intervenojmë në hapjen e kanaleve nëpër fshatra ,e që do të eliminonte grumbullimin e ujit gjatë reshjeve. Pastaj do të bëjmë hapjen e kanaleve në zonat ku ujërat do të derdhen në lumin Sitnica” ka thënë Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, ka thënë se kjo anë me vite ka qenë e rrezikuar nga të reshurat dhe vërshimet me vite po dëmtojnë edhe kulturat bujqësore të kësaj treve.
“ Së bashku me dy drejtorit komunale jemi duke punuar që problemit të vërshimeve ti gjendet një zgjidhje e përmes të cilit edhe do të mbrohen edhe tokat e mbjella të cilat ka vite që po rrezikohen gjatë kohës së reshjeve dhe vërshimeve” ka thënë Burim Bajrami
Edhe drejtori I Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Arben Halili ka shprehur gatishmërinë që me gjithçka që është në kompetenca të kësaj Drejtorie do të jetë në shërbim të zgjidhjes së problemit të banorëve të kësaj ane.