26,11,2024

Zhvillimi i Demokracisë së një Shteti

Must Read

Salihe Salihu- PhD kandidat

Demokracia si sistem qeverisës është në zhvillim e sipër në Kosovën tonë të pas-luftës. Aspirata jonë që të jemi pjesë e demokracisë, si një sistem me vlera më të mira deri më tani të vlerësuar nga shkollat më eminente të sistemeve politike moderne, u përmbushë.

Mirëpo, ndonëse shumë herë dëshirojmë që të jemi apo prezantohemi si demokratë të mirëfilltë megjithatë tek ne vërehet se mungon pjekuria e demokracisë. Mjerisht ende demokracia nuk na është bërë pjesë iminente e veprimeve dhe sjelljeve në përditshmëri as në sferën publike as në atë private.

Zhvillimi i demokracisë nuk nënkupton vetëm zgjedhjen e një solucioni të thjesht apo të dominoj vetëm si një qëllim bazik për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend. Ky solucion është jo-suficient për të mbijetuar sistemi demokratik. Nëse pretendohet vetëm që të shikojmë njëanshëm kah këndvështrim politik për paqe dhe stabilitet atëherë do të rrezikojmë pikërisht paqen dhe stabilitetin. Kështu që përpos qëllimit bazik të paqes dhe stabilitetit duhet të i kushtohet vëmendje e posaçme edhe në ruajtjen dhe zhvillimin e një ndër kritereve fundamental për zhvillimin e demokracisë, siç është kriteri ”civility” (njerëzia apo mirësjellja).

Në fakt, ”civility” është një konditë e cila nevojitet për të furnizuar apo ushqyer frymën demokratike, në sferën publike dhe pa harruar për asnjë moment sferën private, gjegjësisht institucionet e vendit dhe familjet tona. Këto sfera kanë një korrelacion dhe nuk mund të funksionojnë si të natyrshme nëse në njërën sferë jemi apo pretendojmë të sillemi si demokrat e një tjetrën sferë të sillemi si kapadainj dhe pa fije njerëzie.

Jo rallë herë ndeshemi me njerëz që përdorin arsye të ndryshme dhe që tentojnë të racionalizojnë këto arsye për ti përmbushur pasionet e tyre individuale apo për interesa të ngushta grupore. Veprimet të tilla me arsye të kamufluara janë pa kurrfarë ingridience të njerëzisë apo mirësjelljes. Si pasojë e këtyre veprimeve do të barten konsekuenca të padëshirueshme në shoqëri. Si konsekuencë më e dëmshme mund të konsiderohet instalimi i një sistemi pa-njerëzi dhe shumë dashakeq i cili është i paparashikueshëm dhe mund të jetë me shfaqje shokuese dhe në këtë mënyrë të pengoj zhvillimin demokratik.

Kështu që, shikuar nga këndvështrimi zhvillimor i demokracisë së një vendi koncepti ”civility” paraqitet si një ndër faktorët esencial dhe që duhet të instalohet si element krucial në platformën zhvillimore të demokratizimit të një vendi.

Paraqitja e nevojës për ngritjen e vëmendjes ndaj konceptit ”civility” është një imediat që të mund të thellohet zhvillimi i demokracisë. Asnjë vend nuk mund të thirret në vlera demokratike nëse nuk mbështetet në elementin e ”civility”, pra njerëzisë apo mirësjelljes që është pjesë e sferës sociale. Nuk mund të frymoj demokracia nëse mungon tipari i ”civility” dhe pa këtë tipar nuk mund të ketë as paqe as stabilitet në ndonjë vend. Paqja dhe stabiliteti i një vendit mund të ruhen nëse rrisim shkallën e zhvillimit të ”civilit” në të gjitha sferat.

Prandaj, zhvillimi i demokracisë në një stad të mëtejmë ka nevojë për ecje paralele të zhvillimit politik e social. Korrelacioni zhvillimor në sferën politike dhe atë sociale duke përfshirë ”civility” janë garanci të thellimit të demokracisë dhe arritjes së harmonizimit të vlerave shtetërore.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img