18,11,2024

Zemaj prezanton masat e reja, 9 komuna në zonë të kuqe

Must Read

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj​, ka mbajtur konferencë për medie.

Ai me këtë rast ka paraqitur masat e reja që do të hyjnë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, në komunat me rrezik të ulët dhe të mesëm operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 22:00, ashtu si edhe qendrat tregtare.

Ndërkaq, në komunat me rrezik të lartë, ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 21:30 deri në orën 05:00.

Ndërkaq operatorët ekonomik në këto komuna lejohen të punojnë vetëm nga ora 5:00 deri në orën 21:00, ashtu si edhe qendrat tregtare.

Ai më tej ka shtuar se në zonën e kuqe janë 9 komuna, atë të verdhë 6 dhe të gjelbër 23 komuna.

“Ju informoj se kemi formuar grupin punues për hartimin e rregullores për sigurimin e financave për familjarët e punëtorëve shëndetëso që kanë humbur jetën gjatë pandemisë”.

“Ju njoftoj edhe me vendimet e fundit për masat që janë në fuqi që nga sot. Situata epidemiologjike në Kosovë rangohet si ndër shtetet me numrin më të vogël të infeksionit e vdekjeve nga Covid-19”

“Masat që e morën edhe votën e Qeverisë konsistojnë që ndalohet grumbullimi i personave më shumë se 30 persona kurse në sheshe deri në 50 persona. Ashtu siç bëhet edhe në të gjitha llojet e tubimeve. Lejohet veprimtaria e tregjeve të veturave e të kafshëve”.

“Për zonën e verdhë dhe gjelbër operatorët ekonomik lejohet të punojnë nga 05:00 deri në ora 22:00 poashtu edhe shërbimet e gastronomisë e hotelerisë. Masat në të kuqën lëvizja do të vazhdoj të jetë e ndaluar nga ora 21:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Operatorët ekonomik e qendrat tregtare nga ora 05:00 deri në orën 21:00 poashtu edhe shërbimet e gastronomisë e hotelerisë”.

I. Masat e reja:

Hyrjet e qytetarëve të huaj dhe vendorë në Kosovë

1. Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

2. Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:

2.1. Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

2.2. Qytetarët e huaj që punojnë si transportuesi profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;

2.3. Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

2.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;

3. Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

4. Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Organizimi i punës së institucioneve publike dhe organizatave/bizneseve private

5. Institucionet publike dhe organizatat/bizneset private pa përjashtim obligohen të mbikëqyrin në baza ditore shëndetin e stafit në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.

6. Për aq sa nuk ndikon në kryerjen e shërbimeve dhe detyrave të institucioneve, institucionet publike udhëzohen të punojnë vetëm me staf esencial.

7. Punëtorët me sëmundje kronike (sipas qarkores zyrtare të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë e përgatitur për këtë qëllim), gratë shtatzëna dhe gratë gjidhënëse lirohen nga paraqitja në punë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia.

8. Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe vizitorët.

9. Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektim e distancës etj.) në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

10. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

11. Të gjitha institucioneve publike (qendrore dhe lokale) si dhe organizatave, bizneseve dhe subjekteve private pa asnjë përjashtim, iu ndalohet organizimi i çfarëdo ceremonie festive për fundvit.

Organizimi i procesit arsimor

12. Procesi arsimor në institucionet para-universitare, publike dhe private, për gjysmë-vjetorin e dytë fillon më datë 18 janar 2021 dhe organizohet sipas planit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

13. Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në formën on-line, përveç provimeve, punës praktike dhe laboratorike që duhet të organizohet në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së.

14. Veprimtaria e çerdheve publike dhe private vazhdon sipas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, bazuar në “Manualin për mbrojte nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.

15. Konviktet dhe menzat punojnë duke respektuar manualin për mbrojtje dhe përhapjen nga Covid-19.

16. Të gjitha institucioneve arsimore në të gjitha nivelet e arsimit, publik dhe privat, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor dhe nxënësve-studentëve dhe të ngjashme.

Organizimi i shtabeve emergjente komunale dhe shërbimeve shëndetësore komunale

17. Komunave iu kërkohet të mbajnë të aktivizuar plotësisht shtabet emergjente komunale për të mbikëqyrë zbatimin e masave, gjendjen shëndetësore të qytetarëve të infektuar me Covid-19 dhe çështje të tjera, si dhe të koordinohen me nivelin qëndror përkatës.

18. Shtabeve emergjente komunale, drejtorive për shëndetësi dhe QKMF-ve iu kërkohet të mbikëqyrin dhe ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore për së paku 2 javë për personat e infektuar me Covid-19 dhe do të raportojnë në baza ditore në QRSHP-IKSHPK.

19. Komunave iu kërkohet të ofrojnë shërbimet shëndetësore shtëpiake për të gjithë sëmurët kronikë dhe për personat mbi moshën 65 vjeç.

20. Komunave iu kërkohet që, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të ofrojnë ekipet mjekësore teknike për të bërë kontrollin rutinor të qytetarëve të huaj dhe vendorë që hyjnë në territorin e Kosovës siç specifikohet në pikën 4 më lartë në këtë vendim.

Masat për personat mbi moshën 65 vjeç

21. Personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore duke e dëshmuar me dokument përkatës nevojën për dalje jashtë këtij orari tek organi kompetent kontrollues.

22. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së, udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MPMS-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.

23. Qytetarëve që qëndrojnë në shtëpitë për të moshuar u ofrohen të gjitha shërbimet shëndetësore, sociale dhe kontrolle të rregullta shëndetësore nga QKMF-të.

Masat për aktivitetet publike

24. Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim.

25. Të gjitha tubimet publike të organizuara në hapësira publike të të gjitha formave, ndalohen në jo më shumë se 50 persona, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

26. Seminaret dhe punëtoritë e të gjitha institucioneve publike dhe private, lejohen të organizohen sipas manualit për mbrojtjen nga përhapja e COVID19 dhe konform pikës 24 të këtij vendimi.

27. Ndalohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare.

28. Ndalohen ceremonitë dhe veprimtaritë fetare, përveç me pjesëmarrjen e familjes së ngushtë.

29. Përjashtim nga pika 28 më lartë bëjnë ceremonitë e veçanta fetare që organizohet me leje të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë bazuar në rekomandimet e IKSHP-së.

Masat për aktivitetet biznesore

30. Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve deri në 40% të sipërfaqes së kapaciteteve të hapësirave.

31. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.

32. Lejohet ushtrimi vetëm i veprimtarive si në vijim (sipas kodeve NACE të përcaktuara nga ARBK – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë):

32.1. Sektori shëndetësisë,

32.2. Sektori i sigurisë dhe drejtësisë,

32.3. Sektori publik (administratë qendrore dhe komunale),

32.4. Sektori i prodhimit,

32.5. Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë,

32.6. Sektori i ndërtimit,

32.7. Transporti i mallrave,

32.8. Sektori i produkteve ushqimore,

32.9. Sektori i shërbimit/distribuimit.

II. MASAT SPECIFIKE SIPAS KOMUNAVE

33. Komunat kategorizohen në tri grupe sipas bazuar në rrezikun nga përhapja e infeksionit:

33.1. Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të gjelbër),

33.2. Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të verdhë),

33.3. Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të kuqe).

34. Në baza javore, çdo të premte, IKSHP-ja dhe MSH-ja publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.

35. Masat për komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

35.1. Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

35.2. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

35.3. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”,

35.4. Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

35.5. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

35.6. Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

35.7. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

35.8. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

35.9. Pavarësisht pikave 35.6, 35.7 dhe 35.8 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

36. Masat për komunat me rrezik të mesëm (prej 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

36.1. Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

36.2. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

36.3. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

36.4. Të gjitha institucionet publike dhe private këshillohet të reduktojnë stafin bazuar në specifikat e tyre dhe “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

36.5. Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

36.6. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

36.7. Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.8. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

36.9. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

36.10. Pavarësisht pikave 36.7, 36.8 dhe 36.9 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

37. Masat për komunat me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:

37.1. Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 21:30 deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore të dokumentuar në mënyrë të përshtatshme, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësorë, të sigurisë, të drejtësisë dhe të ngjashme;

37.2. Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 21:30 deri në orën 05:00, përveç:

37.2.1. Personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme,

37.2.2. Qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë),

37.2.3. Operatorëve ekonomik dhe transportit të mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit,

37.2.4. Kompanive ndërtimore,

37.2.5. Operatorëve që kryejnë punë publike.

37.3. Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-21:00.

37.4. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-21:00.

37.5. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-21:00, ndërkaq pas orës 21:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.

37.6. Institucionet publike dhe private obligohen të punojnë vetëm me staf esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

37.7. Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

37.8. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

37.9. Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

37.10. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

37.11. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

37.12. Pavarësisht pikave 37.9, 37.10 dhe 37.11 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

III. OBLIGIMET E INSTITUCIONEVE PËR ZBATIMIN E MASAVE

38. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që në rast nevojë të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi.

39. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën 16:00).

40. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

41. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.

42. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

43. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

44. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për grupet respektive që preken nga ky vendim vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

45. Ministria e Shëndetësisë obligohet të publikojë në faqen zyrtare të saj Qarkoren lidhur me sëmundjet kronike, për të cilat sëmundje personat sipas pikës 8 të këtij vendimi lirohen nga paraqitja në punë.

46. Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img