27,11,2024

Zbrazen shkollat shqipe dhe mbushen xhamitë!

Must Read

00_12_14611365661900675582

Mësuesit ankohen se prindërit janë pak të interesuar për t`i sjellë fëmijët në shkollën shqipe: Ka lokalitete ku janë mbyllur klasët e mësimit shqip. Ndërkohë ka xhami që kanë deri në 150 nxënës shqiptarë që ndjekin mësimin fetar. Albinfo.ch ka hulumtuar gjendjen në terren.
7 Marsi, Dita e Mësuesit dhe 8 Marsi Dita e Gruas. Janë data të rëndësishme për të cilat po u flet mëuesi Hasan Spahiu gjithsej 5 nxënësve të tij shqiptarë, në një shkollë zvicerane në Zurlinden të Cyrihut.

Hasan Spahiu më shumë se 18 vite punon në shkollën shqipe në Zvicër, e cila është organizuar për gati 3 dekada me radhë në kuadër të LAPSH-it.

Mësimdhënësi Spahiu është i angazhuar në dy pika shkollore, në Limat dhe Zurlinden të Cyrihut, pastaj jep mësim edhe në Brüttisellen, Bülach dhe Volketswil, Afolten am Albis.

Përveç kësaj, Spahiu është ndërmjetësues kulturor që ndërmjetëson ndërmjet shkollës dhe prindërve në raste kur dy palët kanë ndonjë problem.

Po ashtu Hasani angazhohet që të ndihmojë fëmijët që të integrohen më lehtë në shoqërinë zvicerane.

„Ne dëshirojmë që fëmijët të ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Të jenë zviceranë të mirë por mos ta harrojnë edhe kulturën e tyre, ky është qëllimi ynë.

„Ne kemi mësime interdiciplinare kur i mësojmë fëmijët për vendin ku jetojnë dhe vendin prej nga kanë ardhur. Kur t’i njohin të dyjat, do ta kenë shumë më lehtë të kenë një identitet të tyre. Kur flasim për historinë, ne fillojmë nga ilirët por kur mësojmë për historinë zvicerane e përmendim Vihelm Telin por edhe Skënderbeun“.

Megjithë angazhimin e madh të mëuesit Spahiu për të mbajtur gjallë shkollën shqipe në Zvicër, interesimi i prindërve është i vogël për t’i dërguar fëmijët e tyre që të mësojnë shqip.

Kjo e po e shqetëson shumë Spahiun.

Klasa me më së shumti nxënës e tij është në Bülach me 30 nxënës, edhe atë në dy grupe.

„Në pikat tjera numri i nxënësve është shumë i vogël dhe unë jam i shqetësuar me numrin kaq të vogël të nxënësve. Ne si LAPSH i kemi kërkuar shkaktarët e këtij fenomeni madje kemi kërkuar ndihmë edhe nga Drejtoria për Arsim në Kantonin e Cyrihut “, tregon mësuesi Spahiu.

Në Kantonin e Cyrihut as 10 për qind e nxënësve shqiptarë nuk e ndjekin mësimin plotësues.

„Në krahasim me komunitetet tjera ne jemi të fundit ngase grekët, serbët etj. vijojnë deri 90 për qind mësimin në gjuhën amtare“, deklaron Spahiu.

Mbyllet shkolla shqipe në lokalitetin ku 150 nxënës shqiptarë ndjekin mësimin e fesë në xhami!

Një nga shkaqet mund jetë edhe pagesa e prindërve për mësimin plotësues

„Por, as kjo nuk mund të qëndrojë ngase janë disa pika shkollore, si në Limat ku mësimi është falas, mirëpo prindërit prapë nuk i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla“, mohon Spahiu.

Edhe një tjetër brengë e ka mësuesi Spahiu. Në Regensdorf ai është detyruar për ta mbyllur një klasë shqipe në mungesë të nxënësve ndërsa në xhaminë në afërsi, mësojnë mësim besim deri 150 nxënës.

„Në Regensdorf ishin dy grupe nxënësish të shkollës shqipe deri 30 nxënës. Unë i gjeta vetëm 5 nxënës edhe ata thanë se po përgatiten për gjimnaz kështu që mbeti klasa pa nxënës“, tregon historinë e Regensdorfit mësuesi.

Ai e pranon se nuk kanë bashkëpunuar me imamët e xhamive por edhe nuk i kanë ditur mënyrat sesi t‘i qasen këtij problemi.

Për mësuesin Spahiu është e papranueshme të mbajë mësim në Xhami ngase atje sipas tij e ka për detyrë një imam. „Ai e ka bërë hapin e parë dhe na ka ftuar të bisedojmë dhe ne duhet t’i përgjigjemi se si ta bëjmë duke i gjetur alternativat e bashkëpunimit“, tha Spahiu.

Imami Bunjaku: Nga xhamia ime vetëm 3 nxënës shkojnë në shkollën shqipe

Është e diele, paradite, jo ditë pune në Zvicër. Imami Fahredin Bunjaku, ka gjetur kohë për t‘i mësuar mësim besimi mbi 50 nxënës shqiptarë.

38-vjeçari po ua mëson nxënësve shkronjat e librit të shenjtë islamik, Kuranit.

Imamin po e ndihmon një asistent për shkak të numrit të madh të nxënësve të grupmoshave të ndryshme, të cilët është detyruar t’i ndajë në katër grupe.

„Numri i nxënësve nuk është i njëjtë, ai sillet prej 50 deri 60 nxënës të grupmoshave të ndryshme duke filluar nga klasa e parë deri në klasën e 9“, na tregon imami i Xhamisë në Schwamendigen, Zürich.

„Rregullat dhe morali në islam, format se si merret abdest, namazi, shkronjat e Kuranit” , janë këto mësimet që i mësojnë në xhami me imamin që vjen nga Gjilani.

Bunjaku mohon se i detyrojnë vajzat të vijnë të mbuluara. Ato e bëjnë me dëshirë, thotë imami kosovar.

„Ato i bëjnë respekt xhamisë me mbulesën e tyre. Në moshën madhore ato vendosin vet nëse do të duhet të mbulohen sipas riteve fetare”, thekson Bunjaku.

Përveç kësaj, imami thotë se njëkohësisht i motivon nxënësit që të mësojnë në shkollat zvicerane për të mos ngecur në mësimet e tyre.

Fahredin Bunjaku thotë se vazhdimisht i motivon të shkojnë edhe në shkollën shqipe por nga kjo xhami janë vetëm 3 nxënës që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe!

Hoxha i çon fëmijët e vet në mësimin plotësues në gjuhën shqipe

Ai ka dëshiruar të jetë shembull me dërgimin e vajzave të tij në shkollën shqipe.

„Unë jam vet i interesuar që fëmijët e mi të mësojnë gjuhën shqipe dhe këtë e bëj. Ky është shembulli më i mirë që duhet ta bëjnë edhe të tjerët. Fëmijët tanë duhet ta ruajnë gjuhën. Edhe ne në Xhami u flasim fëmijëve se duhet ta ruajnë përveç identitetit fetar edhe atë kombëtar dhe shpjegimet i bëjmë në gjuhën shqipe. Mësim-besimi jepet kryesisht në gjuhën shqipe“, deklaron Bunjaku.

Ai thotë t’i ketë ftuar edhe prindërit që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Ua hedh fajin edhe fëmijëve por edhe prindërve që nuk kanë shprehur interesim t’i dërgojnë ata në mësimin plotësues.

Kontaktet ndërmjet imamëve dhe mësuesve janë të pakta ose nuk ekszistojnë fare.

„Kohët e fundit vërehet një nismë për bashkëpunim por ne do të jemi të hapur të fillojmë kontaktet në këtë drejtim“, thotë imami Bunjaku, i cili njëherësh është edhe pjesë e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër.

„Nuk bëhet fjalë për rivalitet mes dy organizatave ngase pikërisht ata e kryejnë një mision fisnik për t’ua mësuar fëmijëve tanë gjuhën amtare dhe të njëjtin mision e kemi edhe ne, që të ruajmë identitetin tonë fetar. Por, realiteti është se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim në këtë drejtim.

Në takimin e parë në xhaminë e Regensdorfit, ata kanë shprehur rezerva se imamët nuk dëshirojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla shiqpe, që është vlerësim i gabuar. Madje ka xhami që i kanë kushtet më të miara se ne dhe i kanë ftuar mësuesit që të japin mësim në objektet e tyre. Por, deri tani nuk pasur një lëvizje nga ana e LAPSH-it“, ka thënë Bunjaku duke cituar një thënie të dijetarëve islamë se pa identitet kombëtar nuk ka ardhmëri.

As 10 % e nxënësve shqiptarë nuk ndjekin mësimin shqip
Në Kantonin e Cyrihut as 10 për qind e nxënësve shqiptarë nuk e ndjekin mësimin plotësues. „Në krahasim me komunitetet tjera ne jemi të fundit ngase grekët, serbët etj. vijojnë deri 90 për qind mësimin në gjuhën amtare“, deklaron Spahiu.

Faj kanë prindërit
Imami Bunjaku thotë t’i ketë ftuar edhe prindërit që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Ua hedh fajin edhe fëmijëve por edhe prindërve që nuk kanë shprehur interesim t’i dërgojnë ata në mësimin plotësues

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img