
Por, analisti politik nga Maqedonia, Xhelal Nezir, ka thënë për klankosova.tv se “BDI nuk ka arritur akoma të marrë një vendim se me cilën parti do të bëjë Qeverinë”.
“Lideri i kësaj partie Ali Ahmeti, që nga dita e djeshme i ka në çantën e tij marrëveshjet me dy partitë maqedonase – VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe LSDM-në opozitare të Zoran Zaevit”.
Sipas tij, VMRO-DPMNE dhe LSDM janë gati të njëjta, por dallojnë lidhur me punën e Prokurorisë Speciale.
“LSDM jo vetëm që pranon por njëkohësisht edhe insiston në vazhdimin e mandatit të Prokurorisë, me qëllim të hetimit të të gjitha inidicieve për korrupsion dhe krim të organizuar që përfshihen në materialet e përgjuara, të cilat shkaktuan krizën politike”.
“VMRO-DPMNE nuk pranon vazhdimin e mandatit të Prokurorisë pasi me këtë shënjestërohen krerët e kësaj partie, të cilët janë të dyshuar kryesorë për krimet që janë shënuar në ato materiale”.
Neziri ka thënë se pa vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale në Maqedoni do të legalizohet korrupsioni, gjë që mund të sjellë në trazira të reja edhe më të rrezikshme për stabilitetin jo vetëm të Maqedonisë.
Por sipas tij, përdorimi më i gjerë i gjuhës shqipe dhe poste kyçe në Qeverinë e ardhshme janë pika që i kanë pranuar të dyja partitë.
Analisti Neziri ka folur edhe për Platormën Shqiptare. Ai e sheh zbatimin e saj, si një zhvillim pozitiv.
“Gjuha shqipe dhe shtyllat e të ashtuquajturës Platformë Shqiptare, në fakt janë pika të pazbatuara të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo Marrëveshje u neglizhua dhe nuk u implementua si duhet pikërisht nga BDI-ja e Ahmetit, e cila është në pushtet që nga viti 2002”.
“Zbatimi i tërësishëm i saj do të mbyllë çështjet e hapura etnike, me ç’rast do të hapë rrugën për të punuar në zgjidhjen e problemeve shumë praktike të qytetarit shqiptar në Maqedoni”.
Sido që të jetë kompozicioni i Qeverisë së re në Maqedoni, për Nezirin pushtetin e pret një periudhë e vështirë.
“Pa marrë parasysh nëse në opozitë do të mbetet VMRO-DPMNE apo LSDM, pushtetin e ardhshëm e pret një periudhë përplot me trazira”.
“Një opozitë që ka gati gjysmën e deputetëve do të mund të shkaktojë kriza edhe më të mëdha se kjo aktualja nëse qasja e pushtetit të ardhshëm do të jetë ekskluziviste. E njëjta do të ndodhë edhe me opozitën e shqiptarëve etnikë, të cilët edhepse të përçarë, sërish do t’i shkaktojnë shumë telashe BDI-së”.
Mandatari për formimin e Qeverisë në Maqedoni, Nikolla Gruevski, njëherazi edhe kryetar i VMRO-DPMNE -së, që në zgjedhjet e dhjetorit fitoi 51 mandate, ka afat deri sonte në mesnatë për të formuar shumicën parlamentare me të cilën do të votonte përbërjen e re qeveritare.