24,11,2024

Vrasja horror e teknologut në Ballsh, ja telefonata e fundit me familjarët: Po shkoj…

Must Read

Ai u denoncua i zhdukur prej datës 14 nëntor, por u gjet pas 15 ditësh në brendësi të pyllit të fshatit Kalenjë, ku ishte banor.

Telefonata e fundit me familjaret

Vetëm pak momente para se të zhdukej e të humbiste çdo kontakt me familjarët, Shefo Duraj me profesion teknolog në uzinën e Naftës në Ballsh, kishte bërë një telefonatë me familjarët.

“Po shkoj me disa shokë tek një mik në Skrapar për ngushëllim”. Kjo ishte telefonata që teknologu në uzinën e Naftës në Ballsh, Shefo Duraj bëri me familjarët pak pasi mbylli turnin e tretë, meson Shqiptarja.com.

Pas kësaj telefonate ai nuk pasur asnjë kontakt me familjarët duke bërë që këta të fundit të denonconin dy ditë më pas zhdukjen e tij.

Pistat e hetimit, kush donte ta zhdukte teknologun 

Fillimisht, Policia e Fierit deklaroi se Duraj kishte vdekur në rrethana aksidentale, por u desh ekspertiza që të zbardhej se bëhej fjalë për një krim të mirëfilltë dhe të mirëpërgatitur.

Burime nga Policia e Fierit thanë dje se Duraj ishte goditur me mjete të forta fillimisht e më pas me thikë. Duket se autorët e kanë neutralizuar, duke e qëlluar në kokë 57-vjeçarin e më pas e kanë qëlluar me thikë.

Mjekët ligjorë konstatuan edhe faktin se vrasësit kanë dashur ta djegin trupin e viktimës për të humbur çdo gjurmë, kjo pasi në trup janë konstatuar djegie të shkallës së parë.

Të gjitha këto prova kanë hapur dosjen hetimore për të zbuluar një vrasje me dashje, me paramendim, duke rrëzuar plotësisht dyshimet e para për vdekje aksidentale. Shefo Duraj, i cili punonte prej 20 vitesh në uzinën e naftës në Ballsh, u zhduk papritur pas përfundimit të turnit të tretë.

Ai kishte konsumuar kafe me miq para punës, duke mos shfaqur asnjë shqetësim. Më pas, ai ka shkuar në punë dhe pasi ka përfunduar turnin ka marrë rrugën për në shtëpi. Në rrethana ende mister, ai është përballur me autorët, të cilët e kanë qëlluar për vdekje. Për gati dy javë, familjarët e kërkuan njeriun e tyre, bashkë me policinë, por asnjë gjurmë e tij nuk u gjet deri më 29 nëntor.

Atë ditë, një bari i zonës zbuloi trupin thuajse të dekompozuar të personit të zhdukur, i cili u identifikua nga familja. Zyrtarisht, Policia e Fierit deklaroi atë ditë se “nga veprimet e para hetimore dhe këqyrja e jashtme e kufomës, e cila rezulton e dekompozuar, dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe aksidentale”, duke hedhur dhe pistën se Duraj mund të ishte rrëzuar duke përplasur kokën në ndonjë gur.

Edhe pse viktima kishte shenja në kokë, nuk u bë e ditur pista e hetimit për vrasje të 57-vjeçarit. Aktualisht, policia është përballë çështjes së një vrasjeje me paramendim. Deri tani dyshimet janë për një konflikt të viktimës me banorë të fshatit, të cilët kanë ditur lëvizjet e tij dhe e kanë sulmuar ndërsa kthehej nga puna.

Policia ka ngritur edhe pistën e konfliktit në punë, edhe pse nga marrja në pyetje e kolegëve të tij nuk ka rezultuar deri tani një fakt i tillë. Hetimet po vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve./Panorama/

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img