Fenomeni i vjedhjeve të pajisjeve me vlerë nga automjetet po shënon rritje shqetësuese në Kosovë, e raste të tilla po raportohen gjithnjë e më shpesh edhe në qytetin e Ferizajt. Në një rast të tillë, Policia ka arritur të zbulojë dhe arrestojë dy persona të dyshuar, njëri për vjedhje dhe tjetri për pranimin e mallrave të vjedhura.
Siç njofton Policia, më 20 maj 2025, rreth orës 11:30, një qytetar ka raportuar në polici se më datën 19 maj 2025, në qendrën tregtare “The Village – Shopping & Fun” në Ferizaj, kishte vërejtur se nga vetura e shokut të tij ishin vjedhur disa pajisje elektronike.
“Me datën 20.05.2025, në ora 11:30, një person ka raportuar në polici se më datën 19.05.2025 në qendrën ‘The Village – Shopping & Fun’ në Ferizaj kishte vërejtur vjedhjen e një laptopi të markës ‘Apple’, një aparati fotografik profesional ‘Sony’ dhe një hard-disku, që ndodheshin në automjetin e shokut të tij, të tipit Mercedes. Sipas të dëmtuarit, vlera e pajisjeve të vjedhura ishte rreth 6,200 euro.”
Pas pranimit të informatës, njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Ferizaj ka nisur veprimet hetimore duke analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë. Kështu është identifikuar automjeti dhe personi i dyshuar, i cili është arrestuar.
“Njesiti i Hetimeve të stacionit policor të Ferizajt, pas pranimit të informatës, ka verifikuar kamerat e sigurisë, ku është identifikuar automjeti dhe personi i dyshuar R. I, 32 vjeçar, i cili më pas është arrestuar në fshatin Surqinë të komunës së Ferizajt dhe i cili ka pranuar kryerjen e vjedhjes.”