Gjatë ditës së sotme Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësi, ka mbajtur një takim ku është diskutuar dhuna në familje ndërkaq teme e këtij takimi ka qenë “Thyeje heshtjen”.
Në këtë takim Basri Shabani, drejtor i Policisë Rajonale të Ferizajt, ka thënë se rastet e dhunës në familje çdo ditë e më shumë janë në rritje, por në këtë rast ka potencuar faktin se kanë bashkëpunim të mirë me Gjykatën Themelore, Prokurorinë, por edhe strehimoren e viktimave të dhunës në familje.
Ai në këtë takim ka paraqitur edhe rastet e dhunës në familje, ku ka thënë se vetëm në vitin 2021 kane qenë të raportuara 213 raste të dhunës në familje, ndërkaq gjatë këtij viti janë raportuar 177 raste të kësaj natyre.
“Kërkojë nga ana juaj, që edhe ju të kontribuoni në lajmërimin e rasteve të dhunës në familje, se vetëm në këtë forme mund të kemi më pak raste të tilla. Në rajonin e Ferizajt janë të caktuar 4 zyrtarë policor që merren me trajtimin e këtyre rasteve, ku këta zyrtarë janë të trajnuar për të punuar ekskluzivisht me rastet e dhunës në familje”, është shprehur drejtori Shabani.
Ndërkaq Fitore Daci, gjyqtare, është shprehur se në bazë të strategjisë kombëtare të dhunës në familje, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka caktuar dy gjyqtare, një mashkull dhe një femër që të merren me rastet e dhunës në familjes. Ajo ka thënë se pavarësisht lëndëve të shumta që kanë si gjykatë me prioritete trajtohen lëndët që kanë të bëjnë më dhunën në familje.
Me këtë rast Daci, ka kërkuar nga të gjithë që çdo rast i dhunës të lajmërohen në mënyrë që të gjithë të kontribuojnë që ë kemi sa më pak raste të tilla.
Të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj Dr. Kemajl Emini, i cili ka thënë se Komuna e Ferizajt dhe Kryetari Agim Aliu, janë të gatshëm të ndihmojnë në trajtimin e këtyre rasteve të dhunës në familje.
Pjesë e këtij takimi, ishte edhe Sevdije Bunjaku, nga strehimorja “My home”, e cila ka treguar veshtërisitë dhe problemet me të cilat përballen strehimoret. Ajo ka thënë se sfide mbetet gjithmonë lokacioni i kësaj strehimore, për shkak se shumë shpesh përballen me problemin e ndërrimit edhe të shtëpive, ndërkaq ka theksuar faktin se çdo ditë e më shumë dhuna në familje po rritet.
Edhe koordinatori i Ekipit Veprues për Siguri në Bashkësi Hajredin Sylejmani,në këtë takim ka thënë se të gjithë baskë duhet të lajmërohen rastet e dhunës në familje në mënyrë, që kjo dukuri e shëmtuar të largohet sa më parë.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe kryetarët e zonave urbane dhe zonave rurale, ku shumica prej tyre u zotuan se do të bashkëpunojnë me të gjithë akterët në mënyrë që kjo dukuri e shëmtuar të mos ketë vend në shoqërinë tonë.