27,12,2024

Vetëm 6 leje ndërtimore në 6 muaj qeverisje

Must Read

Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu ka mbajtur konferencë për medie, me ç ‘rast ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e 6 mujorit të parë të këtij viti.

Ndër të tjera, theks të veçantë drejtori Aliu vuri tek pasojat e vendimeve dhe qëndrimeve jo të drejta nga qeverisja e kaluar karshi zhvillimit të vendit, vendosjes së rendit dhe menaxhimit të parasë publike.

Tutje, drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu u shpreh se edhe odisejada e fillimit të ndërtimit të Spitalit të ri Rajonal në Ferizaj po merr fund, tek tash kur janë krijuar kushtet për dhënien e lejes ndërtimore për këtë projekt të rëndësisë së veçantë për Ferizajn.

Sfida kryesore e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit është Plani Zhvillimor Komunal 2017-2025, i cili është dokumenti kryesor i planifikimit hapësinor, në bazë të të cilit do të hartohen të gjitha dokumentet tjera të planifikimit të qytetit tonë.
Anulimi i proceseve dhe lejeve diskutabile të ndërtimit mbetet sfidë kryesore e këtij pushteti. Pavarësisht faktit që drejtori i Urbanizmit ka përsëritur shumë herë se gjendja e urbanizmit në Ferizaj i ngjan një kaosi të vërtet, ai sot në një konferencë për media pas gjashtë muajsh të qeverisjes, u shpreh se pushteti e ka të vështirë ta ndryshoj trendin e nisur nga ish-pushteti.

“Nuk është e lehtë me i anulu nëse mund të konsiderojmë 20-30 leje për të cilat kemi padi dhe që komuna ka lëshuar me vetëdije dhe tani mund të ketë pasoja materiale të shumëfishta. Ju e dini që të rralla janë rastet nëpër gjykata kur komuna i fiton kontestet dhe kjo është sfidë që ne po duhet me përballu për me mbajt balancin. Është sfida dhe telashja kryesore, nuk është që nuk jemi të shqetësuar për këtë punë, nuk do të thotë se s’kemi menduar për këtë çështje mund ta fundosim komunën financiarisht’’, theksoi Aliu.

Një tjetër telashe që sipas drejtorit Aliu po e përcjell çdo ditë punën e urbanizmit është Plani Zhvillimor Komunal.

“Gabimet substanciale në përmbajtje të PZHK-së dhe gabimet e tjera teknike të këtij dokumenti përveç pengesave serioze që po na paraqesin në drejtim të realizimit të projekteve tona vitale po na shkaktojnë telashe edhe në procesimin e hartimit të dokumenteve të tjera të planifikimit siç janë hartat zonale dhe dokumentet e tjera të mëvonshme. Sfidë në vete është interpretimi jo si saktë i Ministrisë së Mjedisit të udhëzimeve administrative që e shpjegojnë përmbajtjen dhe mënyrën e hartimit dhe korrigjimit të këtyre dokumenteve më të rëndësishme që hapin rrugën e zhvillimit të planifikuar të komunës sonë”, tha Aliu.

Përveç tjerash, këto ditë Drejtoria e Urbanizmit ka pranuar një vendim nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku urdhërohet që komuna e Ferizajt menjëherë të pezulloj kushtet ndërtimore dhe lejen ndërtimore në një ndërtesë në rrugën “Astrit Bytyqi”. Për këtë çështje, drejtori Aliu tha se përveç ankesës që kanë bërë, ende nuk kane vendosur se si të procedohet tutje.

“E rëndësishmja e këtij vendimi që e ka lëshuar Inspektorati është e drejta e ndërtimit në atë parcelë, ka vërejtje në procedura të dhënies së lejes që janë gabime minimale të cilat nuk ndikojnë në lejen e ndërtimit, mungon një vijë, një datë, thjesht çështje periferike. Ne kemi vendos me zgjedhë të drejtën e ankesës, i kemi 8 ditë afat për t’u ankuar, sepse mendojmë se janë çështje procedurale dhe unë mendoj se s’kemi nevojë me i pezullu punët, ato do të vazhdojnë ndërsa ne i plotësojmë edhe ato dokumente të cilat po kërkohen”, tha Aliu.

Gjatë kësaj paraqitje publike, drejtori i Urbanizimit në Ferizajt ka njoftuar se kjo drejtori është në fazën e hartimit të hartave zonave, ku sipas tij, përfundimi i këtij procesi do të ndikoj që fusha e urbanizmit në Ferizaj të hyjë në binarë. E një ankesë që u shpreh nga ai është mungesa e stafit profesionist në këtë sektor me shumë aktivitete e procese të nisura.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img