Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u njoh nga afër me punën që bëhet në këto punëtori, në funksion të zgjerimit të njohurive të nxënësve për Kuvendin dhe demokracinë në përgjithësi.
Duke iu bashkangjitur aktivitetit të nxënësve, të cilët temë të ditës së sotme kishin pikërisht Kuvendin, kryeparlamentari Veseli e konsideroi këtë projekt një mundësi të shkëlqyer për fëmijët që të njihen me mënyrën e funksionimit të demokracisë dhe të punës parlamentare.
Duke u përgjigjur në interesimet e nxënësve, kryeparlamentari Veseli foli për aspekte të punës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për rolin e ligjvënës, përfaqësues dhe mbikëqyrës të këtij institucioni, për përgjegjësitë e kryetarit të Kuvendit e të deputetëve, për raportet midis ligjvënësve etj.
Veseli theksoi edhe njëherë gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të rritur edhe më tej transparencën para publikut dhe për t’i ofruar qasje sa më të madhe qytetarëve në punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
Projekti “Punëtoritë për demokraci/Demos-ti”, është projektuar si program për edukimin qytetar të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të cilit ata fitojnë njohuri për demokracinë në Kuvend, funksionimin e Kuvendit, miratimin dhe zbatimin e ligjeve, si dhe rolin e mediave në një shoqëri demokratike.
Projekti zbatohet në formë të punëtorive, në të cilat fëmijët, me ndihmën e trajnerëve, nëpërmjet një përmbajtjeje interaktive dhe në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, mësojnë se si funksion demokracia./Lajmi.net
.