26,12,2024

Veseli: PDK-ja e gatshme për zgjedhje, por t’i respektojmë afatet ligjore

Must Read
Kadri Veseli

Kreu i PDK-së, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka deklaruar se reforma zgjedhore është e domosdoshme, në mënyrë që të prodhohen zgjedhje më të mira në Kosovë. Ai ka dhënë disa propozime konkrete se si mund të avancohet procesi zgjedhor nëpërmjet reformës.

Në këtë intervistë Veseli ka folur edhe për zgjedhjet në Drenas. Ai ka thënë se PDK-ja do ta vazhdojë traditën e fitoreve bindëse dhe qeverisjes së mirë. Sipas Veselit, Drenica është e lënduar me zgjedhjet e jashtëzakonshme, por qytetarët do të flasin shumë qartë më 4 dhjetor

Këto javë kemi një iniciativë të presidentit Thaçi për reformën zgjedhore. Sa e konsideroni të rëndësishme këtë reformë dhe a besoni realisht se ajo mund të bëhet në rrethanat aktuale teksa kemi një opozitë që refuzon bashkëpunimin?

Veseli: Reforma zgjedhore është e një rëndësie të madhe dhe është e domosdoshme. Paritë opozitare, fatkeqësisht, janë çimentuar në pozicionet e veta armiqësore ndaj institucioneve të shtetit, duke shpresuar se kështu përfitojnë politikisht. Ato duhet të jenë të përgjegjshme kur bëhet fjalë për interesat e përgjithshme të vendit dhe jo çdo veprim ta kalkulojnë vetëm për interesa personale. Ne kemi nevojë për një debat konstruktiv të të gjitha subjekteve politike për zgjedhjet, për mënyrat e votimit dhe për gjithçka që ndërlidhet me sistemin tonë zgjedhor.

Natyrisht, kjo reformë mund të mos jetë e lehtë, por është mirë që ajo të kryhet, në mënyrë që të kemi procese zgjedhore sa më të mira. Gjithashtu, ligjet për zgjedhje, përkundër frymës demokratike, për shkak të disa mangësive, kanë nevojë për ndryshime.
Por, ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatime të përbashkëta, mirëpo duhet edhe punë e përbashkët që ta forcojmë demokracinë përfaqësuese në institucione. Duhet gjithsesi ta kemi një thjeshtësim të procesit zgjedhor dhe ne, përfaqësuesit e subjekteve politike, duhet të debatojmë së bashku për të gjitha çështjet që do ta bënin këtë proces më të besueshëm dhe më transparent.
Presidenti i vendit ka filluar një iniciativë serioze dhe unë si kryetar i PDK-së pres që kjo reformë të përfundojë deri në fund të dhjetorit. Andaj, është mirë që partitë opozitare mos ta humbasin shansin që të jenë në këtë proces.

Ku e mbështetni konkretisht nevojën për ndryshime? Vlerësoni se nuk janë mjaftueshëm “përfaqësues të popullit” të zgjedhurit me sistemin aktual zgjedhor?

Veseli: Janë të shumta fushat për të cilat kemi nevojë të debatojmë, duke filluar nga transparenca në numërimin e votave, çështjet që ndërlidhen me sistemin zgjedhor siç është pragu, votimi jashtë vendit, përdorimi i teknologjisë në numërim, votimi me kusht dhe të tjera dilema që mund të ekzistojnë.
Tashmë janë bërë vite që kemi organizuar dhe mbajtur zgjedhje në Kosovë dhe të gjithë i kemi parë mbarëvajtjet dhe të metat e tyre. Gjithashtu, kemi pasur mundësi t’i analizojmë edhe modelet. Për ta pasur një model të përshtatshëm për specifikat tona, natyrisht se nevojitet kontributi i të gjithëve.

Mjafton të flasim vetëm për një problem të caktuar dhe shohim se ka argumente të shumta “për” dhe “kundër”, por ato kryesisht bazohen në interesat e partive politike dhe jo në interesin e qytetarëve. Sistemi i një zone zgjedhore, edhe pse ka mangësi dhe mund të mos krijojë mundësi të barabarta për të gjithë, është më i thjeshtë dhe përfshin shumë mirë edhe komunitetet dhe kërkesat e tyre. Nuk krijon mundësi të barabarta, sepse kandidatëve u pamundësohet ta fitojnë mandatin në një zonë zgjedhore, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në dobësimin e lidhjes përfaqësues i popullit dhe popull ose, thënë më qartë, lidhjen mes deputetit dhe qytetarit që përfaqëson, por për të gjitha këto ne duhet të përcaktohemi bashkë. Pra, ka argumente të ngjashme edhe për shumë çështje të tjera zgjedhore, që duhet të trajtohen në kuadër të reformës zgjedhore.

Cilat janë kërkesat dhe rekomandimet tuaja si PDK në nismën për këtë reformë?

Veseli: Ne i kemi mbështetur gjithnjë reformat kur ato janë kërkuar. Do ta japim maksimumin tonë, me ekspertë të kësaj fushe, për t’i kontribuuar kësaj reforme. E përmenda edhe më parë, duhet të debatojmë së bashku për shumë çështje dhe në rrugë e sipër PDK-ja do të dalë edhe me rekomandime konkrete që do të kenë për qëllim një ligj sa më të mirë për zgjedhjet. Por, pavarësisht modelit reformues për të cilin ne përcaktohemi, PDK-ja është subjekti më i madh në vend dhe përsëri do të konfirmohet e para.
Një debat që gjithnjë kthehet, sa herë që flitet për reformën zgjedhore, është ai për listat. Ju personalisht, a jeni për apo kundër listave të hapura?
Veseli: Ne i kemi përvojat e të dyja formave të organizimit të zgjedhjeve, si me sistemin proporcional me lista të mbyllura, ashtu edhe me atë të hapura. Unë mendoj se qytetarët duhet ta gëzojnë gjithnjë të drejtën që të votojnë për kandidatin që ata e vlerësojnë si përfaqësuesin më të mirë të interesave të tyre. A ka të meta modeli i listave të hapura? Mund të ketë. Elektorati ndoshta nuk është më së miri i përfaqësuar proporcionalisht me këtë model. Por, ne duhet të punojmë shumë që ta kemi një proces fer, që t’i parandalojmë keqpërdorimet e mundshme dhe që njëkohësisht të mos e lëndojmë demokracinë.

Z. Veseli, tema e abuzimit të votave, si diskutim, ka shoqëruar vazhdimisht zgjedhjet në Kosovë. Si mund të ndalet manipulimi i votave, sipas jush?

Veseli:
Kosova, në zgjedhjet e fundit, është kampione e rajonit për organizim të zgjedhjeve të mira politike, sepse ju e dini se vendet e rajonit janë përballur me probleme të shumta në procese zgjedhore. Zgjedhjet e fundit janë dëshmi se Kosova di të organizojë zgjedhje cilësore dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Ne kemi pasur zgjedhje të mira dhe të ndershme në garën mes subjekteve politike. Por, në garën e brendshme mes listave partiake ka pasur ndonjëherë edhe deformime. Një shqetësim i tillë është ngritur prej të gjitha subjekteve politike, i cili është konfirmuar edhe me disa aktgjykime. Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë. Por, kjo duhet të marrë fund. Me reformën zgjedhore mund ta përmirësojmë edhe më shumë procesin zgjedhor, pos të tjerash, edhe duke pasur rezultate më të shpejta dhe më kredibile.

Çfarë e rëndon konkretisht sistemin aktual zgjedhor, atë lokal dhe atë qendror? Në pika të veçanta, a mund t’i veçoni disa prej mangësive dhe propozimeve që ju keni për këtë çështje?

Veseli:
Jemi ndër vendet e rralla që vazhdojmë ta aplikojmë votimin me kusht, i cili, sa kam vërejtur, ka sjell vonesa në publikimin e rezultateve përfundimtare. Kjo është vetëm një ide fillestare, për të cilën mund të diskutojmë bashkërisht dhe të shohim se si ta gjejmë një zgjidhje më të mirë, që do ta lehtësonte procesin zgjedhor. Ne duhet të krijojmë një sistem efikas për trajtimin e ankesave të palëve që janë të përfshira në proces zgjedhor dhe kjo do të kishte për qëllim edhe rritjen e besueshmërisë.

Si mund të thjeshtohet dhe lehtësohet maksimalisht procesi zgjedhor?

Veseli:
Duhet ta analizojmë se si ta thjeshtojmë procesin zgjedhor, por pa e dëmtuar cilësinë e tij. Edhe përdorimi i teknologjisë informative, që ka marrë hov kohët e fundit, do të mund të na ndihmonte në lehtësimin, përparimin dhe thjeshtimin e procesit zgjedhor.

Çfarë mendoni ju se përfiton qytetari nga reforma zgjedhore? Cilat janë përfitimet konkrete?

Veseli: Qëllimi kryesor i reformës zgjedhore është qytetari i Republikës së Kosovës. Çfarë dua të them me këtë? Me këtë reformë ne duhet ta rrisim besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, duke e bërë atë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.
LDK-ja ka përmendur si mundësi heqjen e balotazhit në zgjedhjet lokale për kryetar komune. A do të pajtohej PDK-ja me një ide të tillë?

Veseli:
Kjo është një nga çështjet që mendoj se duhet analizuar më thellësisht jo vetëm brenda PDK-së, por me gjithë spektrin politik. Ne duhet t’i shohim edhe praktikat e shteteve të tjera me traditë demokratike.

A ka ndonjë mekanizëm që e thjeshton dhe përshpejton numërimin e votave dhe publikimin e rezultateve zgjedhore?

Veseli:
Publikimi i rezultateve të zgjedhjeve ndërlidhet ngushtë me sistemin zgjedhor që parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale. Prandaj, ne duhet të shohim se si t’u japim zgjidhje çështjeve që në një farë forme e vonojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, siç janë votat me kusht dhe votimi jashtë vendit.

Kohët e fundit, nga media dhe qarqe ndërkombëtare, zgjedhjet e jashtëzakonshme përmenden si opsion. A është e gatshme PDK-ja të shkojë në zgjedhje?

Veseli:
PDK-ja, si partia më e madhe dhe më e organizuar në vend, natyrisht se është e gatshme gjithmonë për zgjedhje. Por, zgjedhjet duhet të vijnë si rezultat i një marrëveshjeje të përbashkët politike. Ne duhet të mësohemi që t’i respektojmë afatet e rregullta kohore të zgjedhjeve, ta respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën e vendit. Mirëpo, ne duhet të mendojmë më tepër se çfarë duhet të bëjmë pas zgjedhjeve.

Z. Veseli, sikur po i shmangeni përgjigjes. Përderisa sondazhet po e nxjerrin PDK-në si partinë e parë, pse po hezitoni të jeni i drejtpërdrejtë?

Veseli:
Kini parasysh, nëse shkohet në zgjedhje, kjo assesi nuk duhet të bëhet për t’i përmbushur egot e liderëve dhe subjekteve politike për pushtet, por duhet të shkohet vetëm të prirë nga ideja për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. Qytetarët kanë nevojë për punësim, për zhvillim më të hovshëm ekonomik, për shëndetësi dhe mirëqenie sociale më të mirë. Por, po e përsëris, për zgjedhje nevojitet marrëveshje mes të gjitha subjekteve politike, nga pozita dhe opozita.

Zgjedhjet në Drenas po konsiderohen si një test për ju, pasi kjo është hera e parë që PDK-ja hyn në një proces zgjedhor me ju si kryetar i saj. A jeni nën ethe?

Veseli:
Absolutisht jo. Në Drenas, më 4 dhjetor, PDK-ja do ta vazhdojë traditën e fitoreve bindëse dhe të qeverisjes së mirë. Spekulimet e atyre që flasin për ethet dhe të atyre që po mundohen të krijojnë acarime, do ta marrin përgjigjen nga vetë qytetarët. Drenica është e lënduar me këto zgjedhje të jashtëzakonshme, por drenicasit do ta thonë shumë qartë fjalën e tyre.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img