Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thotë në tryezën e 3 gushtit për demarkacionin duhet të arrihet një qëndrim i njehsuar i përbashkët, ngase sipas tij, Kosova si shtet ka obligim të rregulloj çështjet e shënjimit të kufirit.
Në një intervistë në Zëri i Amerikës ai tha se janë të vendosur që asnjë metër katror i tokës së Kosovës të mos tjetërsohet, por sipas tij, nuk duhet të ketë as manipulime emocionale ngase kjo është një çështje shumë me rëndësi.
“Ne duhet të mendojmë se duhet ta përfundojmë çështjen e shënjimit të kufijve me fqinjët tanë, aq më tepër me fqinjët malazez, për arsye se ka qenë ndër vendet e para që na ka njohur dhe duhet t’i ruajmë raportet e mira. Në të njëjtën kohë duhet të forcojmë raportet me bashkësinë ndërkombëtare. Institucionet tona mençurish do të vendosin edhe për çështjen e shënjimit të kufirit i cili do të jetë në interes të qytetarëve, Kosova pjesën më të madhe të saj është e rrethuar me shqiptar, nuk është korrekte e as e ndershme të vihen mbi barrën tonë disa çështje historike të cilat kanë qenë ndodhsha padrejtësi në të kaluarën, duhet të kthehemi nga e ardhmja”, tha ai.
Ai tha se askush në Kosovë, për asnjë çmim, nuk është i gatshëm të jep asnjë metër katror të territorit, e siç tha ai, kjo do jetë pjesë e vendimmarrjes së tyre.
“Çështja e territorit tonë nuk duhet të ngatërrohet me çështjen e lëvizjes së lirë. Ajo është çështje shumë e madhe, dhe ne do veprojmë me përgjegjshmërinë që territori ynë, ai që është, të mbrohet dhe ruhet. Ne do marrim një vendim konform interesave të qytetarëve por nuk është korrekte që të vihen si çështje kontestuese historike, çështje që nuk kanë qenë në gjeneratën tonë e nuk mund t’i ndryshojmë”, tha Veseli.
Ai tha se procesi i dialogut do të vazhdojë, për shkak të fqinjësisë së mirë, por sipas tij, dialogu në të ardhmen duhet të jetë më konkret, veçanërisht në fushën e implementimit të shumë marrëveshjeve që nuk janë implementuar deri më tani, e sipas Veselit, me to Serbia po krijon avantazhe si formë presioni.
“Ne presim edhe në çështjen e Asociacionit, pa u liruar ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pa u implementuar marrëveshjet, ne nuk do arrijmë marrëveshje tjera, por për të komunikuar jemi këtu ta bëjmë çdo ditë”, ka thënë ai.
Foli edhe për korrupsionin, ku tha se kanë bërë progres në luftimin e tij, por pranoi se duhet bërë edhe më shumë.