Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që me dekret t’u falë dënimin vëllezërve Arsim dhe Burim Ramadani, si dhe Arben Kiqinës.
Po ashtu personi i katërt i falur me dekret është Marko Sabiq.
Referuar dekretit të bërë publik në faqen e Presidencës, falja bëhet sot, ngase vendimi hyn në fuqi datën e nënshkrimit.
Rasti “Kiqina” njihet si një ndër lëndët gjyqësore penale më të gjata në Kosovë – me 107 shqyrtime gjyqësore vetëm sa gjykohej në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.
Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001.
Më 20 gusht 2001, Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, i biri Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina kishin mbetur të vrarë në një rrugë në mes të fshatit Baicë dhe Tërstenik në Komunën e Drenasit, gjersa po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre në Gllogovc (Drenas), thuhej në aktgjykim.