Vëllezërit Besmir dhe Jetmir Ibrahimi kanë lindur në Gjenevë të Zvicrës, dhe janë të moshës 28 dhe 23 vjeç. Ata në lagjen ku jetojnë njihen nga të gjithë si çuna të urtë e të respektueshëm ,e mbi të gjitha veçohen me humanitetin e tyre ndaj njerëzve në vështirësi.
Këto virtyte i kanë trashëguar nga prindërit e tyre Fatmiri dhe Minirja, të cilët shpeshherë kanë kursyer veten dhe fëmijët e tyre nga plotësimi i shumë dëshirave me qëllimin e vetëm që t’u vijnë në ndihmë njerëzve të gjendur në pozitë të rëndë materiale.
Ata së bashku me disa bashkëfshatarë dhe miq të tyre pas luftës së fundit në Kosove, kanë ndihmuar nëpërmjet formave të ndryshme familjet e dëmtuara në komunën e Vitisë.
Rrugën e prindërve të tyre po e trasojnë edhe djemtë Besmiri dhe Jetmiri, të cilët gjatë këtyre ditëve kanë ndërmarrë një iniciativë për ndërtimin e një shtëpie familjes skamnore Berisha nga Ferizaj.
Për të kuptuar se deri ku kanë vajtur punët dhe si ka lindur ideja rreth këtij projekti kontaktuam vëllezërit Besmir dhe Jetmir Ibrahimi , bartës të këtij aksioni bamirës.
Fillimisht bisedën e nisëm me Besmirin,ashtu si e do edhe rendi ngaqë ai është më i moshuar se sa i vëllai Jetmiri.
Besmiri i çiltër dhe modest thotë: Ç’ është e vërteta ky aksion është projekt i Jetmirit.
Para trevjetësh nga një sëmundje e rëndë papritmas vdiq nëna, me të cilën ishim të lidhur ngushtë. Mungesën e saj e ndjemë përherë,sepse ajo vërtetë na ofronte dashuri të njëmendtë. Pasion konstant apo të pandryshueshëm kishte mirësjelljen dhe bamirësinë ndaj njerëzve .
Nëna pastë ndjesë ishte një grua durimplotë e asnjëherë e vrazhdë e egoiste.
Vazhdimisht thoshte: të rinjtë çdoherë duhet t’ju ndihmojnë të moshuarve , të shëndoshët të sëmurëve, dhe të pasurit të varfërve ,sepse jeta është me të papritura e plot sfida dhe asnjëherë nuk dihet kah çon. Mos i shihni koprracët dhe egoistët, ata edhe pse kanë shumë, prapëseprapë janë të varfër.
Këto këshilla plot sinqeritet të nënës na përcjellin edhe sot, sikur një hije dhe i ndjemë tamam si një amanet që duhet kryer.
Madje Jetmirin e tundonin tepër këto porosi të nënës,të cilat edhe dëshironte t’i jetësojë sa më parë.
Ndërkohë idenë e tij ia prezantoi edhe babit .Ai përveç aprovimit me shumë zemërgjerësi premtoi edhe mbështetjen nga ana e tij.
Edhe pse në krye të aksionit gjendet Jetmiri heziton të flasë. Thjesht nuk do që punës së tij t’i bëjë publicitet. Sikurse të mos ishte në pyetje transparenca dhe korrektësia ndaj shokëve dhe miqve kontribuues, ai këtë aksion do ta përfundonte në heshtje dhe pa zhurmë.
I nxitur nga respekti dhe përkrahja e dhënë nga ana e 129 donatorëve megjithatë ndjen detyrim që të organizoi një pritje për shokë e miq,ku nëpërmjet një aperitivi të organizuar nergut për ta
do që të shpreh mirënjohjen e tij ndaj tyre për këtë vepër mirëbërëse dhe me vlerë shoqërore.
Ky takim njohës që zgjojë vëmendjen e të gjithëve u realizua mbrëmë me mjaft sukses në ambientet e komunës Vernier të Gjenevës.
Me ç’rast u shqyrtua në hollësi rrjedha e gjithëmbarshme e këtij aksioni humanitar,ku veçmas u admirua humaniteti i treguar nga ana e të rinjve.
Nga analizat e bëra dhe statistikat e ofruara vërehej që 71% të pjesëmarrësve të këtij aktiviteti humanitar ishin të moshës nën tridhjetë vjeç.
Po ashtu para të pranishmeve vëllezërit Ibrahimi prezantuan historinë tepër të dhimbshme dhe tronditëse të familjes Berisha.
Para pak kohësh në një aksident komunikacioni kjo familje ka humbur kryefamiljarin.
Në këtë aksident të paparashikuar dhe me fatalitet lëndime të rënda pati pësuar edhe një fëmijë i kësaj familje,i cili si pasojë e këtyre lëndimeve ka mbetur i palëvizshëm.
Po ashtu nga Jetmiri i cili ka shkuar në vendngjarje për të konstatuar gjendjen faktike mësojmë se kjo familje prej pesë anëtarësh burim të vetëm ka një ndihme simbolike nga zyra për çështje sociale e komunës së Ferizajt.
Nëna e fëmijëve është pakurrfarë aktiviteti fitimprurës. Kurse fëmijët janë ende të vegjël për të siguruar kafshatën e gojës.
Një nga problemet madhore të kësaj familje është strehimi. Aktualisht familja Berisha banon me qira në një shtëpi të pa rëndomtë,në të cilën mungojnë kushtet më elementare për jetesë.
Jetmiri mjaft i mallëngjyer nga ky takim thotë: Kur i thashë zonjës Berisha se gjatë kësaj vere do t’u bëjmë me shtëpi e kapluan lotët nga gëzimi.
Në analizën e kësaj ngjarje humanitare kanë marrë pjesë duke mbajtur edhe fjalë rasti z. Thierry Apotheloz, kryetar i komunës Vernier, të Gjenevës,si dhe dy këshilltarët komunal Ana Roch dhe Leutrim Hebibi.
Ky gjest bamirësie është vlerësuar lart nga z. Apotheloz,i cili tha: s’ka më njerëzore se sa të ndihmoshë në një rast si ky.
Kam dëgjuar për humanizmin dhe solidaritetin e shqiptarëve,por tash këtë virtyt nga më njerëzorët po e shoh edhe në vepër.
Enkas nga Kosova në këtë ngjarje bamirësie ka ardhur edhe z. Sokol Haliti,kryetar i komunës së Vitisë, i cili me fjalë të përzgjedhura e ka përshëndetur këtë gjest të këtyre vëllezërve fisnik e bujar.
E, po ashtu ka çmuar kontributin e pazëvendësueshëm të miqve zviceranë të cilët në të gjitha fazat kanë ndihmuar pa hile këtë kategori të shoqërisë sonë.
Ndër të tjera Z. Haliti ka pohuar që familja Ibrahimi e ka në gjene bamirësin ngase edhe më herët është angazhuar në aktivitete të ngjashme.
Organizatorët nëpërmjet tabelave të shfaqura në ekran i bënë me dije të pranishmit se deri me tani janë tubuar 17mijë e 500 franga zvicerane. Më këtë shumë të hollash më 1 korrik të verës si sivjetme do të nisë ndërtimi shtëpisë prej 80m për familjen Berisha.
Shtëpia do të ketë dy dhoma gjumi,një dhomë pritje,një kuzhinë dhe një banjë.
Gjithashtu u tha se ajo do të mobilohet dhe do të pajiset me të gjitha mjetet e nevojshme.
Vëllezërit Ibrahimi në fund të takimit nga zemra falënderuan të gjithë ata që ndihmuan këtë projekt amanet nga e ëma e tyre.