30,10,2024

Vëllezërit Ibrahimi do ta bëjnë me shtëpi të re familjen Berisha 

Must Read

Vëllezërit Besmir dhe Jetmir  Ibrahimi  kanë  lindur në Gjenevë të Zvicrës, dhe janë të moshës  28 dhe 23 vjeç. Ata në lagjen ku jetojnë njihen nga të gjithë si çuna të urtë e të respektueshëm ,e mbi të gjitha veçohen me humanitetin e tyre ndaj njerëzve në vështirësi.

Këto virtyte i kanë trashëguar nga prindërit e tyre Fatmiri dhe Minirja, të cilët  shpeshherë kanë kursyer veten dhe fëmijët  e tyre nga plotësimi i  shumë dëshirave me qëllimin e vetëm që t’u vijnë në ndihmë njerëzve të  gjendur në pozitë të rëndë materiale.

Ata së bashku me disa bashkëfshatarë dhe miq të tyre pas luftës së fundit në Kosove, kanë ndihmuar   nëpërmjet  formave të ndryshme  familjet e dëmtuara në komunën e Vitisë.

Rrugën e prindërve të tyre  po e trasojnë  edhe djemtë  Besmiri dhe Jetmiri, të cilët gjatë këtyre ditëve kanë ndërmarrë një  iniciativë  për ndërtimin e një shtëpie familjes skamnore  Berisha nga Ferizaj.

unnamed-1

Për të kuptuar  se deri ku kanë vajtur punët  dhe si  ka lindur ideja rreth këtij  projekti kontaktuam vëllezërit Besmir dhe Jetmir  Ibrahimi , bartës të këtij aksioni bamirës.

Fillimisht bisedën e  nisëm me Besmirin,ashtu  si  e do  edhe rendi ngaqë ai është më i moshuar se sa  i vëllai Jetmiri.

Besmiri i  çiltër dhe modest thotë: Ç’ është e vërteta ky aksion është projekt  i  Jetmirit.

Para trevjetësh nga një sëmundje  e rëndë papritmas  vdiq nëna, me të cilën ishim  të lidhur ngushtë.  Mungesën e saj  e  ndjemë përherë,sepse ajo  vërtetë na ofronte dashuri të njëmendtë. Pasion konstant apo të  pandryshueshëm kishte mirësjelljen dhe bamirësinë  ndaj njerëzve .

Nëna pastë ndjesë ishte një grua durimplotë e asnjëherë e vrazhdë e egoiste.

Vazhdimisht thoshte:  të rinjtë  çdoherë duhet t’ju ndihmojnë të moshuarve , të shëndoshët të sëmurëve,  dhe të pasurit të varfërve ,sepse jeta është me të papritura e plot sfida dhe asnjëherë nuk dihet kah çon.  Mos i shihni  koprracët dhe egoistët, ata edhe pse kanë shumë, prapëseprapë janë të varfër.

Këto këshilla plot sinqeritet të nënës na përcjellin edhe sot, sikur një hije dhe  i ndjemë tamam  si  një amanet që duhet kryer.

Madje Jetmirin e tundonin tepër  këto porosi të nënës,të cilat edhe dëshironte t’i jetësojë sa më parë.

Ndërkohë  idenë e tij   ia prezantoi edhe babit .Ai  përveç aprovimit me shumë zemërgjerësi premtoi edhe mbështetjen nga ana e tij.

Edhe pse në krye të aksionit gjendet  Jetmiri heziton të flasë.  Thjesht  nuk do që punës së tij t’i bëjë publicitet.  Sikurse  të mos  ishte në pyetje transparenca dhe korrektësia ndaj shokëve dhe miqve kontribuues, ai  këtë aksion do ta përfundonte në heshtje dhe pa zhurmë.

0a4817b5-a866-4b41-a950-18f233ce1e24

I nxitur  nga respekti dhe përkrahja e  dhënë nga ana  e 129 donatorëve megjithatë ndjen detyrim që të organizoi  një  pritje për shokë e miq,ku nëpërmjet një aperitivi të organizuar nergut për ta

do që të shpreh  mirënjohjen e tij ndaj tyre për këtë  vepër mirëbërëse dhe me vlerë shoqërore.

Ky takim  njohës që zgjojë vëmendjen e të gjithëve u realizua  mbrëmë me mjaft sukses në ambientet  e komunës Vernier të Gjenevës.

Me ç’rast u shqyrtua në hollësi  rrjedha e gjithëmbarshme e këtij aksioni humanitar,ku veçmas u admirua humaniteti i treguar nga ana e të rinjve.

Nga analizat e bëra dhe statistikat e ofruara vërehej  që 71%  të pjesëmarrësve të këtij aktiviteti humanitar ishin të moshës nën tridhjetë vjeç.

Po ashtu para të pranishmeve  vëllezërit Ibrahimi prezantuan historinë tepër të dhimbshme dhe tronditëse të familjes Berisha.

Para pak kohësh në një aksident komunikacioni kjo familje ka  humbur kryefamiljarin.

Në këtë  aksident të paparashikuar dhe me fatalitet  lëndime të rënda pati pësuar edhe një fëmijë  i kësaj familje,i cili si pasojë e këtyre lëndimeve  ka mbetur i palëvizshëm.

Po ashtu nga Jetmiri i cili ka shkuar në vendngjarje  për të konstatuar gjendjen faktike mësojmë  se kjo familje  prej pesë anëtarësh burim të vetëm ka një ndihme simbolike nga zyra për çështje sociale e komunës së Ferizajt.

Nëna e fëmijëve është pakurrfarë aktiviteti fitimprurës. Kurse fëmijët janë ende të vegjël  për të siguruar kafshatën e gojës.

Një nga problemet madhore të kësaj familje  është  strehimi. Aktualisht familja Berisha banon me qira në një shtëpi të pa rëndomtë,në të cilën mungojnë kushtet më elementare për jetesë.

Jetmiri mjaft i mallëngjyer nga ky takim thotë: Kur i thashë zonjës Berisha se gjatë kësaj vere do t’u  bëjmë me shtëpi e kapluan lotët nga gëzimi.

Në analizën e kësaj  ngjarje  humanitare kanë marrë pjesë duke mbajtur  edhe fjalë rasti   z. Thierry  Apotheloz, kryetar i komunës Vernier, të Gjenevës,si dhe dy këshilltarët  komunal Ana Roch dhe Leutrim Hebibi.

Ky gjest bamirësie është vlerësuar lart nga z. Apotheloz,i cili tha: s’ka më njerëzore se sa të ndihmoshë në një rast si ky.

Kam dëgjuar për humanizmin dhe solidaritetin e shqiptarëve,por tash këtë virtyt nga më njerëzorët po e shoh edhe në vepër.

Enkas nga Kosova në këtë ngjarje bamirësie ka ardhur edhe z. Sokol Haliti,kryetar i komunës së Vitisë, i cili me fjalë të përzgjedhura e ka përshëndetur këtë gjest të këtyre vëllezërve fisnik e bujar.

E, po ashtu ka çmuar kontributin e pazëvendësueshëm të miqve zviceranë të cilët në të gjitha fazat kanë  ndihmuar pa hile  këtë kategori të shoqërisë sonë.

Ndër të tjera  Z. Haliti ka pohuar që familja Ibrahimi e ka në gjene bamirësin ngase edhe më herët është angazhuar në aktivitete të ngjashme.

Organizatorët nëpërmjet  tabelave të shfaqura në ekran  i bënë me dije të pranishmit se deri me tani janë tubuar 17mijë e 500 franga zvicerane.  Më këtë shumë të hollash më 1 korrik të verës si sivjetme do të nisë  ndërtimi   shtëpisë prej 80m2 për familjen Berisha.

Shtëpia  do të ketë dy dhoma gjumi,një dhomë pritje,një kuzhinë dhe një banjë.

Gjithashtu u tha se ajo do të mobilohet dhe do të pajiset  me të gjitha mjetet e nevojshme.

Vëllezërit Ibrahimi  në fund  të takimit nga zemra falënderuan të gjithë ata që ndihmuan  këtë projekt  amanet nga e ëma e tyre.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Është gjetur edhe vetura e dytë, e cila ishte vjedhur në fshatin Dardani të Ferizajt

Me datën 25.10.2024 rreth orës 16:00 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në fshatin Koshare të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img