Ferizaj.29.05.2017. Banorët e disa fshatrave siç janë Rahovicë , Pojatë , Papaz, Softaj e fshatra të tjera pas pak muajsh do të kenë objektin e ri të gjendjes civile dhe kushte shumë më të mira për punë . Në fshatin Softaj sot u vu gurthemeli për objektin e ri investim ky i komunës së Ferizajt.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa me rastin e vënies së gurthemelit të këtij objekti tha se ndjehet i lumtur që shërbimet jetike të qytetarëve tashmë po ofrohen sa më afër shtëpive të tyre.
“Sot jemi në inaugurimin e punimeve në zyrën e gjendjes civile në fshatin Softaj, zyrë kjo e cila për një kohë të gjatë ka zhvilluar veprimtarinë e vet, ndërsa viteve të fundit nuk ka qenë funksionale. Gjithë këta banorë të kësaj ane nga fshatrat përreth kanë gravituar për rregullim të dokumenteve në fshatin Talinovc i Muahxherëve dhe ne po dëshirojmë që zyrat e gjendjes civile t’i kenë më afër shtëpive të tyre, në mënyrë që asnjë qytetar të mos ketë nevojë të marrë mundin të shkojë në qytet ose në zyrat më të largëta për ndonjë shërbim. Unë jam këtu bashkë edhe me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit të cilët do të jenë një zë i fuqishëm i qytetarëve në Kuvend dhe jam i lumtur që nga investimet e komunës po zgjidhen disa nga hallet e qytetarëve siç është edhe ky investim. Me investimet që po bën komuna e Ferizajt ka arritur jo vetëm që të ndal migrimin fshat –qytet por ka arritur që ta bëjë më të lehtë më të dashur dhe më atraktive jetën për banorët e këtyre fshatrave që nuk do të ecin nëpër baltë dhe nuk do të udhëtojnë me kilometra për shërbime të vogla”, është shprehur kryetari Svarqa.
Edhe banorët e kësaj ane kanë mirëpritur investimet e reja të komunës së Ferizajt në shërbim të zgjidhjes së halleve të tyre.
Fadil Lipovica kryetar i fshatit Softaj tha se në këto anë gravitojnë një numër i madh i banorëve dhe nevoja për dokumente është e përditshme.
“Ky projekt na është dashur tepër sepse deri në vitin 2012 ka funksionuar kjo zyrë por për shkak të stërvjetrimit u desh që të ndërpritet puna këtu. E falënderojmë komunën dhe kryetarin Muharrem Svarqa që po punon për të zgjidhur hallet tona me sukses . Këtu gravitojnë një numër i madh i banorëve nga fshatrave përreth prandaj do të jetë më lehtë qasja për dokumente “ u shpreh kryetari i fshatit Softaj Fadil Lipovica.
Zyra e re e gjendjes civile do të kushtojë buxhetit të komunës së Ferizajt rreth 32 mijë euro dhe pritet të jetë funksionale pas 3 muajve.