Ferizaj.29.03.2018. Me vendimin e kryetarit i Ferizajt, Agim Aliu kthimin e rregullit dhe mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, u hoqën edhe tezgat lëvizëse dhe reklamat përgjatë rrugëve kryesore në Ferizaj
Nisma e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për lirimin e hapësirave publike në gjithë territorin e Komunës së Ferizajt, ka vazhduar me veprimet në terren të Inspektoratit Komunal, me ç ‘rast janë hequr të gjitha reklamat, pengesat dhe dekoret e vendosura në rrugët “Ahmet Kaçiku” dhe “Dëshmorët e Kombit”, “12 qershori” si dhe tezgat lëvizëse përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Këtij aksioni i janë përgjigjur vullnetarisht edhe pronarët e tezgave të cilën kanë larguar ato brenda afatit të caktuar nga Inspektorati Komunal, përjashtimisht pak rasteve ku këta të fundit kanë hasur në rezistencën e pronarëve për t’i larguar tezgat e vendosura nga ana e tyre.
Ky aksion i gjerë i ndërmarr nga qeverisja lokale, gjegjësisht Kryetari i Komunës, Agim Aliu dhe i zbatuar nga Inspektorati Komunal është shtrirë në disa segmente duke arritur kështu rezultate domethënëse në qëllimin e këtij aksioni, lirimin e hapësirave publike, garantimin e lëvizjes dhe qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe automjeteve, si dhe kontrollin e cilësisë së produkteve, gjegjësisht kujdesin për shëndetin e konsumatorëve, në rastin konkret qytetarëve ferizajas.
Veprime të tilla nga Inspektorati Komunal do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, Komuna e Ferizajt, përkatësisht Kryetari Agim Aliu është i vendosur të çoj deri në fund betejën kundër paligjshmërisë, kaosit, cenimit të shëndetit të qytetarëve dhe qarkullimit të lirë të tyre.
Sheshet kryesore në Ferizaj i janë kthyer qytetarëve, për pak ditë një aksion i tillë do të ndërmerret edhe për verandat (terasat) e kafiterive, duke siguruar përfundimisht rregullin e munguar kaherë në sheshet kryesore të Ferizajt dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve.