“Mbledhja e Kryesisë u mbajt për të diskutuar në lidhje me Komisionet politike të LSIsë. Ne po përpiqemi të mbledhim ekspertët më të mirë për partinë. Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur që të mbledhë rreth saj njerëzit më të mirë të shoqërisë, intelektualët dhe njerëzit e arsyeshëm”, tha Vasili për Ora News.
I pyetur për reformën në drejtësi, Vasili u shpreh se LSI është dakord për Vettingun.
“Vettingu ka pasur votën e plotë të LSIsë. Unë kam ngritur shqetësim për bordin e ONMsë. Lidhur me reformën, ne duhet të vazhdojmë të ruajmë qetësinë. Vettingu nuk është shpatë, por thjesht një verifikim e ne jemi dakord për këtë. Të ruajmë konsensusin e ndërtuar për reformën në drejtësi”, tha numri një i drejtësisë.
Duke folur për protestën e Partisë Demokratike, ministri i Drejtësisë tha se LSI mbështet çdo protestë paqësore.
“Ne e kemi ndjekur me kujdes protestën. Na vjen mirë që protesta është e qetë dhe jo e dhunshme. Ne mbështesim edhe deklaratat e diplomatëve ndërkombëtarë për protestën. Ne jemi një parti që duam konstruktivitet politik dhe mendojmë se opozita duhet të hyjë në parlament”, tha Vasili.
Ministri i Drejtësisë u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbështetur dhe mbështet dialogun, qetësinë e jo dhunën apo atmosferën e dhunshme.
“Ne nuk na duhet polarizimi politik, por qetësia politike”, nënvizoi Vasili.