Varianti i ri i Covid-19, i quajtur BA.2, është 1,5 herë më infektues sesa Omicron. Në këtë përfundim kanë dalë shkencëtarët danezë, të cilët thonë se në vendin e tyre tashmë varianti i ri është më dominant.
“Kemi të dhëna se është më i transmetueshëm, sidomos tek të pavaksinuarit, por infekton edhe personat me të treja dozat”, tha Tyra Grove Krause, një nga krerët e autoritetit shëndetësor danez.
Pavarësisht kësaj, Danimarka nuk e konsideron kërcënues variantin e ri dhe këtë javë njoftoi se do të heqë çdo masë shtrënguese kundër pandemisë.
“Mund të duket e çuditshme dhe paradoksale që ne eliminojmë kufizimet me nivelet aktuale të infektimit, por duhet të shohim më shumë shifrat, një nga më të rëndësishmet është ajo e pacientëve të sëmurë rëndë dhe ajo kurbë është thyer” tha në një konferencë për shtyp kryeministrja daneze Mette Frederiksen.
Ndërkohë, mjeku Ilir Alimehmeti, tha për A2 CNN se nëse ky variant i ri nuk hyn në Shqipëri, kurba e infektimeve do të nisë të ulet: “Në janar nuk patëm vetëm variantin Omicron, por edhe Deltën. I duhet koha e tij të spostojë Deltën me të paktën 4 javë. 4 javë kaluan dhe tani kemi 95% Omicron. Nëse nuk hyn varianti BA.2, kurba do të nisë të ulet”.