Në një tribunë të organizuar në Beograd me temën “Beteja e Koshares”, raporton “Telegraf.rs”, ushtarakët serbë kanë treguar se beteja për Kosharen ka zgjatur 67 ditë dhe se një betejë e tillë nuk mbahet mend.
Koloneli Ljubinko Gjuroviq, komandant i njësitit për mbrojtjen e Koshares, duke kujtuar atë kohë thotë se në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri atëherë kishin 1, 357 luftëtarë, por thotë se ishte e pamundur të mbrohet Kosharja, kur përballë kishin 6000 luftëtarët të UÇK-së në vijën e parë dhe 2000 në vijën e dytë dhe 34 tanke, transmeton Telegrafi.
“Kushtet atmosferike dhe gjeografike ishin të tmerrshme po aq sa armiku”, thotë ai.
Ndërsa, kapiteni Dushan Jokiq, komandant i togut për mbrojtjen e Koshares, thotë se deri në vitin 1999 kodrat e Dinarës dhe Velebitit janë përvoja e tij me e hidhur.
“Kam luftuar në Velebit, kam menduar se në malet Dinarike është më së vështiri, por ai që ua ka lënë emrin Bjeshkëve të Nemuna, ka pasur të drejtë… Atje ku ishte togu im, bora ishte deri në brez. Kur në atë lartësi binte mjegulla, atëherë të bëhej sikur je në një planet tjetër. Jam mërdhirë i tëri. Kisha 10 predha në kokë. Ferri i Koshares kurrë mos u përsëritët”, thotë ai.
Vojislav Vukashinoviq ishte luftëtari më i ri serb, i cili në moshën 19-vjeçare kishte shkuar të shërbejë në ushtrinë e atëhershme jugosllave.
“Për betejën e Koshares nuk mund të flitet pa emocione…”, thotë Vukashinoviq, teksa flet për vrajën e kapitenit Koshanin, Tibor Cerne.
Ai thotë se gjatë luftimeve ishte plagosur dhe në atë betejë e ka lënë gjysmën e kokës.
“Fatkeqësisht shokët e mi i kam lënë më 17 maj. Këtë kurrë nuk do t’ia falë vetes. Askush atëherë nuk mendonte se çfarë force na sulmonte, por çfarë shenjtërie po mbronim… Kishim ushqim dhe ujë, por as nuk kemi ngrënë as nuk kemi pirë, sepse nuk kishim kohë për këtë. Të gjithë 108 luftëtarët tanë kanë vdekur heroikisht. Gjithashtu 256 janë plagosur heroikisht, por edhe ata që shpëtuan ishin me fat heronjsh”, thotë Vukashinoviq.