Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Bujar Pira, gjatë vizitës zyrtare në Salzburg të Austrisë, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Salzburgut, përkatësisht me rektorin e këtij universiteti, Prof. Dr. Gerhard Blechinger dhe drejtorin menaxherial, Dr. Doris Walter.
Memorandumi i Mirëkuptimit me këtë institucion të arsimit të lartë në Salzburg, ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit në mes të të dy institucioneve, i cili ka filluar nga viti 2007, në programet akademike, shkëmbimin e stafit akademik me qëllim të pjesëmarrjes në mësimdhënie të përbashkët, hulumtime të përbashkëta, konferenca e programe të përbashkëta kulturore, mundësinë e shkëmbimit të studentëve, etj.
Gjatë kësaj vizite, e cila u realizua nga 28 shkurt deri më 2 mars, u realizua takimi i parë mes UShAF dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Salzburgut në kuadër të projektit të partneritetit programor të avancuar “Bashkëpunimi industrial në arsimin e dizajnit të produktit”, i cili do të zbatohet në mes të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Universitetit të Salzburgut të Aplikuara Shkencave (SUAS) në mbështetje të projektit HERAS. Projekti do të fokusohet në zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive akademike dhe shkencore të studentëve dhe do t’i përgatisë ata për tregun e punës në Ferizaj dhe rajon, duke marrë parasysh përvojat nga Salzburgu, Austria.
Po ashtu, rektori Bajraktari dhe prorektori Pira u takuan edhe me përfaqësues të departamentit të turizmit në këtë Universitet ku biseduan rreth hartimit të një programi të ri në studimet master, në UShAF.