Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe menaxheri i Kompanisë “Interex”, në Ferizaj, z. Zgjim Musliu hynë në Marrëveshje Bashkëpunimi për punë praktike të studentëve.
Me këtë rast, rektori Bajraktari falënderoi përfaqësuesin e kompanisë “Interex” për krijimin e mundësive për studentët e UShAF, si dhe u shpreh i kënaqur që gatishmëria e bizneseve për të bashkëpunuar me UShAF po rritet çdo ditë e më shumë, sepse sipas tij bizneset tani më po kërkojnë punëtorë të kualifikuar.
“Qëllimi ynë është që studentët të kalojnë mbi 50% të kohës nëpër kompani dhe që të kemi sukses si Universitet është e domosdoshme që pjesën teorike ta lidhim me pjesën praktike, anadaj kemi bërë një mori marrëveshje në mënyrë që të nxjerrim sa më shumë kuadro profesionale”, tha Rektori.
Ndërsa, përfaqësuesi i Kompanisë, z. Zgjim Musliu u shpreh i kënaqur që do të bashkëpunojë më studentët e UShAF dhe theksoi se puna praktike për studentë është shumë e nevojshme dhe se pa hezitim ka pranuar që të bëjë marrëveshje për të dhënë kontributin e Kompanisë, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të përfitojnë profesionist për tregun.