26,12,2024

Urimi i kryetarit të Ferizajt për Ditën e Flamurit

Must Read

Kryetari e Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka uruar qytetarët për Ditën e Flamurit.

Të nderuar bashkëkombas!
Të nderuar ferizajas!
Në këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar, ne e kemi rastin e mirë të shprehim nderimin tonë më të thellë për të gjithë ata burra e gra, që me pushkë e penë, me këmbëngulje, dashuri e sakrificë, u dolën zot idealeve për liri e pavarësi, për zhvillim e përparim të popullit tonë të shumëvuajtur. Falë flijimeve të panumërta, orientimit të drejtë strategjik, por edhe mbështetjes shumë të çmuar të botës liridashëse, populli shqiptar sot është në pozitën më të mirë që ka pasur ndonjëherë gjatë historisë, edhe pse me vështirësi të theksuara të transicionit të stërzgjatur. Pjesa më e madhe e popullit shqiptar sot jeton shumë më mirë se në të kaluarën, ka bërë rrugë të çmuar shtetndërtuese dhe po bën hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të standardeve që mundësojnë jetë të dinjitetshme.
Kurrë në histori nuk ka qenë më i mundshëm dhe më dinamik komunikimi ndërshqiptar. Lëvizja e lirë, shkëmbimet ekonomike, kulturore e arsimore, janë në shkallën më të lartë se asnjëherë tjetër. Ne vetëm para një muaji e gjysmë, patëm mundësi ta vizitojmë dhe ta nderojmë me mirënjohje mësuesin korçar Selami Kreka, i vetmi mësues ende i gjallë i gjimnazit të parë shtetëror, i hapur në Ferizaj më 1947. Ky është vetëm një rast i vogël, që dëshmon mundësitë e papara deri tani të komunikimit, të njohjes, bashkëpunimit e bashkëveprimit të mundshëm ndërmjet shqiptarëve.
Në një ditë feste si kjo, duhet të jemi të prirur t’i shohim punët e mira që janë bërë e që po bëhen. Si shembull do të duhej të na shërbejnë sportistët dhe këngëtarët nga të gjitha pjesët e gjeografisë shqiptare, të cilët po arrijnë suksese të lakmueshme duke bashkuar forcat, pavarësisht trevave prej nga vijnë. Muzika dhe sporti tashmë janë bërë fushat që po prijnë dhe që duhet ndjekur si shembull të integrimeve ndërshqiptare.
Në këtë ditë festive, ne duhet t’i gëzohemi rreshtimit të drejtë pro-perëndimor të popullit shqiptar, duke shpresuar se populli ynë do të dijë t’i marrë dhe t’i jetësojë përvojat e çmuara të qytetërimit bashkëkohor në të gjitha fushat e jetës. Ne kemi nevojë të kultivojmë dhe të zhvillojmë vlera bashkëkohore të qytetërimit perëndimor, duke u nisur nga sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, ekonomia e tregut të lirë, kultivimi dhe respektimi i të drejtave të barabarta të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, gjinore, racore, fetare, politike etj. Niveli i kultivimit dhe i respektimit të këtyre vlerave, është matësi më i mirë i atdhetarisë në kohën tonë. Atdhetar i mirë sot është qytetari i ndershëm, profesionist, që e bën mirë dhe me nder punën e tij, respekton të drejtat e të tjerëve, respekton ligjet në fuqi dhe punon për fuqizimin e shtetit të së drejtës. Atdhetar i mirë sot është qytetari i cili me punë dhe kreativitet, ia ngrit prestigjin vetes, familjes, komunitetit dhe gjithë vendit të tij. Atdhetar i mirë sot është qytetari i cili me guxim denoncon çdo dukuri negative në afërsi të tij dhe përpiqet për eliminimin e saj, ndërsa detyrë e shtetit është t’u sigurojë hapësirë veprimi qytetarëve të tillë. Me qytetarë që e marrin në duar të ardhmën e vet, të familjeve dhe komuniteteve të tyre, e ardhmja jonë sigurisht se do të jetë më e mirë.
Duke besuar se populli shqiptar është në rrugë të mbarë për të shënuar suksese drejt përparimit dhe integrimit sa më të shpejtë në familjen e popujve të Evropës, të quajtur Bashkimi Evropian, ju uroj të gjithëve gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!

Muharrem Sfarqa

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img