29,04,2024

Urimi i kryetarit Svarqa për nëntëvjetorin e pavarësisë

Must Read

Të nderuar qytetarë të komunës së Ferizajt,

Nëntë vjet rrugë pavarësie, janë pak për historinë e jë vendi, por nuk janë pak për frymimin e lirë të qytetarëve të Ferizajt e të Kosovës, pas aq shumë dekadave të vuajtjeve e flijimeve të panumërta. Nëntë vjet nuk janë pak për këndelljen dhe konsolidimin e shoqërisë dhe për fillimin e ngritjes së mirëqenies për banorët e komunës sonë.

Në një ditë si kjo e sotmja, ne kujtojmë flijimet e panumërta të ferizajasve e të kosovarëve përgjatë shekujve e dekadave, për të realizuar idealin e lirisë e të pavarësisë, për të realizuar ëndrrën e ndërtimit të një jete të lirë e demokratike. Është dita e shënuar për t’u përkulur me nderimin më të thellë para veprës së atyre burrave e grave, që e vunë shëndetin, pasurinë dhe jetën e vet, për të vendosur një gur në themelet e ngrehinës së shtetit e të lirisë sonë kombëtare. Në këtë ditë, ne falënderojmë me respektin më të madh të gjitha ato vende e forca përparimtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që u rreshtuan pët të mbrojtur popullin tonë nga shfarosja dhe ndërmorën veprimin e rrallë në historinë e re, për të ndalur shfarosjen masive të popullatës civile.

Sot, gjithashtu, është rasti i veçantë për të shqyrtuar këto nëntë vite, për të bërë bilancin e arritjeve, e ngecjeve, natyrën e rrugëtimit tonë politik, ekonomik, shoqëror, arsimor, shëndetësor, kulturor e sportiv. Është momenti të shohim se si i kemi ndërtuar jetët tona gjatë këtyre nëntë viteve, çfarë kemi bërë për vendin dhe për veten tonë. Çfarë ka ndodhur me ëndrrat tona të dikurshme për vendin tonë të pavarur dhe si po sillemi ndaj këtyre ëndrrave e idealeve, të cilat i bartën në zemrat e tyre dhjetëra breza. Është e natyrshme që të gjithë ne të kemi këndvështrime të veçanta, madje edhe të ndryshme për ecjen tonë të pavarur në ndërtimin e shtetit të së drejtës, në ndërtimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, të mirëqenies ekonomike e shoqërore të popullatës sonë.

Por është e vërtetë e pamohueshme se çdo vit jemi më mirë se vitet e mëparshme dhe jemi duke bërë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të përgjithshëm, duke ofruar shërbime më të mira, më shumë shkolla e qendra të kujdesit shëndetësor, rrugë më cilësore, çerdhe më të shumta për fëmijët tanë, investime në bujqësi dhe mjedis më të mirë biznesor.

Dalëngadalë po mbizotëron vetëdija se vendin tonë duhet ta zhvillojmë e përparojmë dhe ta ngrisim shkallën e mirëqenies, në radhë të parë ne, banorët e këtij vendi, duke e zëvendësuar mendësinë e pritjes së ndihmave nga jashtë.

Ne në Komunën e Ferizajt mund flasim për avancimin e qeverisjes me duar të pastra. Mund të krenohemi me faktin se në komunën tonë, gjatë disa viteve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i keqpërdorimit të detyrës zyrtare, as i korruptimit të nëpunësve.

Të nderuar ferizajas,

Në këtë ditë të madhe kremteje, dëshiroj të konstatoj se është koha kur duhet të vëjmë në punë të gjitha mundësitë tona intelektuale e krijuese, për t’i ndërtuar një të ardhme vetes dhe shoqërisë, për t’u krijuar të ardhme fëmijëve tanë, duke i përgatitur për jetë, përmes një edukimi të mirë e të përparuar.

Është koha kur duhet të investojmë mund e djersë, dije e drejtësi, për ndërtimin e mirëqenies sonë të përgjithshme dhe mirëqenies së secilit qytetar veç e veç.

Dëshiroj të theksoj me këtë rast se viti në të cilin kemi hyrë, pritet të jetë një vit i pasur me investime që do ta ngrisin shkallën e përgjithshme të zhvillimit. Kemi një rritje të ndieshme buxhetore, e cila premton investime më të mëdha se vitin që shkoi. Veç kësaj, muajin e fundit janë paralajmëruar investime të papara në komunën e Ferizajt nga Qeveria e Kosovës. Le të përmend me këtë rast vetëm memorandumin që nënshkrova para pak ditësh me Ministrinë e Financave, për investimin në Komunën e Ferizajt të 3 milionë eurove për infrastrukturë rrugore, e cila do ta përmirësojë ndjeshëm qarkullimin në komunën tonë. Le të kujtojmë gjithashtu njoftimin e javës së kaluar nga Ministria e Infrastrukturës se në maj të këtij viti do të fillojë ndërtimi i rrugës Ferizaj – Gjilan me katër korsi, me ndriçim publik dhe me trotuare.

Janë këto vetëm dy nga projektet më madhore që pritet të fillojnë së realizuari gjatë këtij viti. Por, ka edhe projekte të tjera të rëndësisë kapitale, si ndërtimi i fabrikës së re të ujit, ndërtimi i rrjetit të ujësjellësve në disa fshatra, fillimi i ndërtimit të spitalit rajonal, studimi i fizibilitetit për zgjidhjen e problemit të hekurudhës, e kështu me radhë. Investimet në bujqësi do të jenë më të mëdha se asnjëherë tjetër, ndërkohë që subvencionimi i kamatave për investime të reja, do të vazhdojë edhe më tej. Këto investime, pa dyshim që do ta ndryshojnë pamjen e komunës sonë dhe do të hapin edhe vende pune për të rinjtë ferizajas.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se zhvillimi i përgjithshëm i vendit tonë, nuk është duke u bërë në përputhje me pritjet dhe ëndrrat tona të dikurshme. Por vazhdimisht po ecim tutje duke arritur suksese të reja, duke ndërtuar infrastrukturë përherë e më cilësore, më shumë objekte të intersit publik, shkolla dhe institucione më të mira shëndetësore.

Unë ju ftoj të nderuar qytetarë që të kemi më shumë besim te vetja jonë, tek mundësitë tona, tek përpjekjet e përbashkëta, për një shkallë më të lartë të zhvillimit shoqëror, ekonomik, arsimor e kulturor. Jam i bindur se mund të bëjmë shumë më tepër po të jemi të bashkuar, po të investojmë mund, dije e drejtësi në të ardhmën tonë më të mirë. Prandaj, ju ftoj që ta kremtoni me familjet dhe me të dashurit tuaj këtë përvjetor të nëntë të pavarësisë së vendit tonë, duke kujtuar të gjithë ata burra e ato gra, që e vunë jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre në themelet e kësaj lirie e pavarësie.

Lavdi e përjetshme të gjithë ayre që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img