Të dashur nxënës, studentë, arsimtarë, punonjës të arsimit, prindër, qytetarë të Ferizajt,
Në këtë ditë të shënuar të shkollës shqipe, dëshiroj t’ju përgëzoj për arritjet dhe përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave tuaja për një shkollim sa më cilësor në komunën dhe në vendin tonë.
Duke e çmuar kontributin e jashtëzakonshëm të punonjësve të arsimit në të kaluarën dhe në të sotmen, dëshiroj të them se roli i tyre sot është i pazëvendësueshëm, duke marrë parasysh sfidat që paraqiten para nesh, si: ngritja e cilësisë së arsimit dhe edukimit, përshtatja e planeve dhe programeve mësimore, duke rritur nivelin e dijeve e të shkathtësive, sidomos në shkollat profesionale, në të mirë të përvetësimit në shkallë sa më të lartë të profesioneve të zgjedhura; hulumtimi i drejtpërdrejtë i nevojave në tregun e punës në vendin tonë, hulumtimi i nevojave në tregun e punës jashtë vendit dhe mobilizimi i nxënësve, arsimtarëve, prindërve dhe i të gjithë neve që jemi të lidhur me shkollën, për të arritur objektiva që na mundësojnë arritje në përputhje me kërkesat bnashkëkohore.
Të dashur nxënës, studentë, arsimtarë, punonjës të arsimit, prindër, qytetarë të Ferizajt,
Ne kemi qenë të penguar përgjatë shekujve që ta ngrisim dhe ta zhvillojmë shkollimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve. Por, sot nuk kemi asnjë pengesë që të organizohemi më mirë, të punojmë më shumë dhe ta zhvillojmë arsimin dhe edukimin në nivelin që e kërkon koha. Këtë gjë e kemi detyrë mbi detyra, sepse kemi të bëjmë me të ardhmen e shoqërisë dhe të vendit tonë.
Pushteti lokal i Ferizajt do t’u ofrojë gjithë mbështetjen e mundshme nxënësve, arsimtarëve, punonjësve të arsimit, prindërve dhe të gjithë atyre që janë të ndërlidhur me shkollën, për ta vënë në vijë të mbarë arsimimin dhe edukimin e shëndoshë e cilësor të fëmijëve dhe të të rinjve tanë.
Duke besuar se të gjithë ne, nuk do t’i kursejmë përpjekjet në këtë drejtim, ju uroj Ditën e Mësuesit dhe ecje të mbarë drejt synimeve për të pasur nëj shkollim modern e cilësor. Gëzuar!