21,12,2024

Urimi i kryetarit Svarqa për Ditën e Gruas

Must Read

Të nderuara nëna,

Të gjithë ne jemi bij e bija nënash, ndaj nderimi dhe borxhi i pafund për nënën, si për krijesën që na ka lindur, na ka rritur e na ka edukuar, është i vetëkuptueshëm dhe nuk mund të shprehet me fjalë. Të qenit nënë, është shenjtëri e përjetshme, jo vetëm si burim i vazhdimit të jetës, por për shkak të dashurisë së pakusht, dëlirësisë dhe të gjitha mirësive që përmban ky privilegj.

Por, jo gjithmonë shoqëria jonë e ka çmuar mjaftueshëm gruan, nënën, femrën në përgjithësi. Them se ne kemi shumë borxhe të trashëguara nga e kaluara e largët dhe ajo e afërt, ndaj nënave tona, kur gruan, sipas traditës shqiptare, e kemi trajtuar si “një calikë për me mbajtë në shpinë”. Pra, si një barrë të domosdoshme. E kemi parë gruan edhe si “burrneshë”, e cila shpesh ka zgjidhur probleme të ndërlikuara, atëherë kur burrat nuk ia kanë dalë. Pastaj edhe si luftëtare për të drejta kombëtare e shoqërore. Por, për fat të keq, ka mbisunduar trajtimi i gruas si një rob në familje, pa kurrfarë të drejtash. Për fat të keq, një pjesë e kësaj tradite të mbrapshtë është ngulitur aq shumë tek ne, sa që aspekte të saj vazhdojnë të jetojnë edhe sot e kësaj dite. Megjithë përparimin e jashtëzakonshëm, gruaja bashkëkohore, sot e këtu, ende nuk është plotësisht e barabartë me burrin. Ajo ka për të zhvilluar një betejë ende shumë të gjatë e të mundimshme për të fituar të drejtat e saj të ligjshme. Shembuj pa dyshim që ekzistojnë, por duhet që ata shembuj të mirë të masivizohen dhe të përhapen gjerësisht.

Ne çdo ditë e më shumë shohim femra të punësuara, që ndihmohen përherë e më shumë nga burrat në të gjitha punët e përditshme, shohim përditë e më shumë femra që ngasin automjetet dhe që zgjedhin profesione, të cilat deri vonë konsideroheshin vetëm për meshkuj.

Por, ajo që duam të shohim, janë përpjekjet këmbëngulëse për barazi, së pari në familje, pastaj edhe në shoqëri në përgjithësi. Duam të shohim se si nënat i kanë marrë përsipër përpjekjet e pareshtura për t’i mësuar fëmijët e tyre, në radhë të parë, se femrat kanë të drejtë për të vendosur për çdo gjë që ka të bëjë me jetën dhe me mirëqenien e tyre, përfshirë edhe të drejtën e trashëgimisë.

E drejta e trashëgimisë është aktualizuar kohët e fundit ndër ne si kurrë më parë. Po bëhen fushata gjithandej për t’i vetëdijesuar femrat për të drejtën e tyre, por edhe meshkujt, që ta respektojnë këtë të drejtë. Unë jam i vetëdijshëm se nuk do të jetë punë e lehtë për ta reformuar mendësinë e shtresuar me shekuj, por është mirë që e kemi filluar këtë rrugëtim, i cili nga ka dyshim se do të arrijë suksese. Por, për sukses duhet punë dhe këmbëngulje. Jam i bindur se përpjekjet dhe këmbëngulja e femrës për të realizuar të drejtat e saj, nuk do të mungojnë. Nuk do të mungojë as mbështetja e gjerë shoqërore. Sepse sa më të qytetaruar që ta kemi gruan, aq më të qytetëruar do të jemi si shoqëri.

Duke marrë parasysh ndryshimet e e pandalshme pozitive në këtë drejtim, unë jam optimist se do të arrijmë edhe më shumë.
Prandaj, ju uroj 8 Marsin, me besim për të ardhmen më të mirë të gruas! Gëzuar!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img