Njerëzit po vdesin nga uria dhe rreth 1 milionë të tjerë janë në prag të urisë – thanë agjencitë e Kombeve të Bashkuara. Vite lufte civile, një krizë refugjatësh dhe një ekonomi në kolaps kanë lënë gjurmën e tyre në Sudanin Jugor që kur mori Pavarësinë në 2011-ën.
Tani, programi botëror i ushqimit i OKB dhe organizata të tjera jo qeveritare, po lëshojnë alarmin duke paralajmëruar se më shumë se 1 milionë fëmijë po vuajnë nga keq ushqimi akut.
“Frika jonë me e keqe është materializuar” shprehen zyrtarët – “Pjesa më e madhe e familjeve kanë ezauruar çdo mjet që kanë në dispozicion për të mbijetuar. Lufta ka goditur rëndë bujqësinë dhe i ka lënë njerëzit me pak mundësi zgjedhje. Njerëzit shpesh gërmojnë për ushqim për të mbijetuar”.
Sipas tyre, uria, është një tragjedi e shkaktuar nga njeriu ndaj ata apelojnë për një fund të luftimeve në mënyrë që ndihmat të mund të shkojnë tek njerëzit në nevojë.
Javën e kaluar, kombet e bashkuara paralajmëruan se 1.5 milionë njerëz ishin larguar nga sudani jugor duke kaluar kufirin me Ugandën për t’i shpëtuar luftimeve në vend duke krijuar kështu edhe krizën më të madhe të refugjatëve në Afrikë.
Sudani Jugor është shteti më i ri në botë. Ai mori pavarësinë nga Sudani në 2011, pas disa vitesh luftë civile. Por, vetëm pas dy vitesh paqe relative, nisën përplasjet mes presidentit dhe ish zëvendësit të tij.
Që nga korriku 2016, luftimet u intensifikuan, në konflikt u përfshinë shumë grupe etnike dhe zonat rurale u shndërruan në zona të përhershme luftimesh që kanë prodhuar refugjatë në vend të ushqimit.