Prokuroria ka dalë në një seancë të jashtëzakonshme për media, duke dhënë detaje për rastin “Brezovica”, ku të arrestuarit akuzohen kryesisht për ryshfet në këmbim të lejeve për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Zyrtari policor Agron Haziri tha se në aksionin e sotëm u arrestuan 4 persona, njëri prej të cilëve më pas u lirua. Ai tha se janë në kërkim edhe të 5 personave të tjerë.
Në aksionin e sotëm policor, Haziri tha se kanë sekuestruar armë, një veturë e gjëra të tjera, në mesin e të cilëve edhe një uniformë policore të ish-sistemit serb.
“Gjatë kontrollit të sotëm janë sekuestruar edhe dëshmi dhe prova materiale si në vijim: është sekuestruar një veturë BMW X1, armë CZE, armë tjetër Zastava, 136 fishekë, një kuti me armë, një karikator i zbrazët, një shtëpizë kompjuteri, një telefon mobil, USB, pesë video-kaseta, uniformë me mbishkrimin ‘policia e ish-sistemit jugosllav, ose serb’, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”, tha ai.
Haziri tha se 3 persona të arrestuar sot janë ndaluar për 48 orë, ndërsa njoftoi për ngrirjen e mjeteve financiare në gjirollogaritë bankare të të akuzuarve dhe familjarëve të tyre.
“Në gjirollogaritë e personave të dyshuar kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë e 146 dollarë amerikanë”, tha Haziri.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku, paraprakisht paralajmëroi se aksione të ngjashme si sot dhe ai më herët do të zhvillohen sërish.
“Nuk është aksioni i fundit. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme dhe do të njoftoheni me kohë”, tha prokurori Maloku.