Ferizaj, 15 Korrik 2025 – Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Kanalizimit “Bifurkacioni” e cila menaxhon qytetin e Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, në një intervistë për ferizajpress drejtori i kësaj kompanie z. Jeton Shabani ka bërë të ditur se situata me furnizimin me ujë të pijshëm mbetet sfiduese gjatë muajve të verës për shkak të rritjes së temperaturave, mungesës së reshjeve dhe kthimit të mërgimtarëve në vendlindje.
Sipas drejtorit të kompanisë, aktualisht gjendja është më e qëndrueshme në Kaçanik dhe Han të Elezit, ndërsa qyteti i Ferizajt përballet me vështirësi më të mëdha, faktorë të cilët po ndikojnë gjatë verës si rritja e temperaturave ku me ç’rast po zbret niveli i ujit në burime po ashtu si dhe në anën tjetër ardhja e mërgimtarëve, të cilët po ndikojnë që në mos posedimin e ujit të mjaftueshëm “Reduktimet në Ferizaj bëhen çdo natë gjatë gjithë vitit nga ora 00:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Ndërsa gjatë sezonës së verës, për shkak të kërkesës së shtuar, reduktimet fillojnë që nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit, kjo për faktin që të akumulohet uji në rezervare në mënyrë që në 19 orëshin, të ketë tërë kohën ujë ”, tha Shabani.
Lagjet më të prekura nga mungesa e ujit janë ato që ndodhen në zona të thella dhe më të larta, këtu vlen të ceket që lagjja “Brahim Ademi”, është ballafaquar me mungesë të ujit në këto ditët e fundit. Megjithatë, drejtori thekson se furnizimi në përgjithësi në qytet dhe fshatra është i kënaqshëm, falë ndërhyrjeve dhe mirëmbajtjeve të vazhdueshme.
“Çdo vit kemi identifikuar rreth 700 kyçje ilegale të ujit, të cilat i sanksionojmë dhe i eliminojmë. Kemi ekipe të përhershme në terren që luftojnë keqpërdorimet e ujit dhe mundësojnë një furnizim më të qëndrueshëm,” tha drejtori i KRU Bifurkacioni.
Drejtori njoftoi gjithashtu se po punohet në zgjerimin e kapaciteteve me ndërtimin e një fabrike të re të ujit me mbështetje nga qeveria, ku do të shtohen 250 litra në sekondë kapacitet shtesë ku një sasi e ujit që do vije për trajtim në këtë fabrikë do të jetë nga diga e Firajës. Me këtë investim parashihet që problemi i ujit në Ferizaj të zgjidhet përfundimisht brenda 2 deri në 3 vitet e ardhshme.
Drejtori i KRU Bifurkacionit apelon tek qytetarët që të shmangin keqpërdorimin e ujit të pijshëm për ujitje dhe larje makinash, duke e theksuar se çdo shfrytëzim i papërgjegjshëm paraqet rrezik për ata që janë të kujdesshëm në përdorimin e ujit të pijshëm.