Mbrëmjen e sotme, në ambientet e Palestrës së Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, nën organizimin e Trupës Regjionale Artistike, në krye me drejtorin Bardhyl Abazi, nën patronatin e të parit të Ferizajt, Agim Aliu, në mesin e krerëve institucional, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qindra qytetarëve, u mbajt Gala Koncerti memorial, kushtuar këngëtarit, regjisorit, aktorit, artistit pamor, profesorit, artistit të papërsëritshëm, Qazim Dushku.
Ishin këngëtarët Veli Sahiti, Osman Shehu, Elizabeta Krasniqi, Visar Peja, Vjollca Selimi, Liridon Sadriu, Valon Bytyqi, Visar Çarkaxhiu, Bardhyl Abazi, Mentor Haziri, Naim Bunjaku – Xuxi, Fadil Keca e Adhurim Grezda që para publikut ferizajas, interpretuan këngë të zgjedhura të krijimtarisë së Dushkut, që padyshim ngjallën emocione të bukura tek publiku.
Përmes një publikimi për këtë koncert, i pari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se është nder i veçantë i Ferizajt dhe artit në gjithë gjeografinë shqiptare, të ketë qytetar të tij, këngëtarin, regjisorin, aktorin, artistin pamor, profesorin, artistin e gjithanshëm e të papërsëritshëm, Qazim Dushku.
“Kënaqësi e veçantë sonte, të jehojë në Pallatin e Sporteve të Ferizajt, kënga që të mbush zemrën gëzime, krijimtaria e çmueshme e Qazim Dushkut, në Gala Koncertin memorial dedikuar atij, ku performuan artistët me emër si Veli Sahiti, Osman Shehu, Elizabeta Krasniqi, Visar Peja, Vjollca Selimi, Liridon Sadriu, Valon Bytyqi, Visar Çarkaxhiu, Bardhyl Abazi, Mentor Haziri, Naim Bunjaku – Xuxi, Fadil Keca e Adhurim Grezda, nën dirigjimin e profesor Valton Beqirit, me Trupën Regjionale Artistike, organizim ky i nisur nga Bardhyl Abazi me mbështetjen e Komunës së Ferizajt. Ferizaj di t’i ruaj, kultivoj e promovoj vlerat e muzikës qytetare, vlerat e mirëfillta të muzikës shqipe, çka sonte na dhanë emocione të veçanta me krijimtarinë e artistit, Qazim Dushku. Një qytet si Ferizaj, që mban me nder epitetin e qendrës kulturore, padyshim se kultivon vlera të tilla” tha kryetari Aliu në publikimin për këtë Gala Koncert.
Ky Gala Koncert u organizua nga Trupa Regjionale Artistike prirë nga Bardhyl Abazi, ku performuan këngëtarët e lartcekur, nën dirigjimin e profesor Valton Beqiri dhe orkestrimin nga ky i fundit dhe Edon Ramadani.