Kosova mund të bëhet shumë shpejt me Ligjin për Referendumin. Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin i cili parasheh tri lloje të referendumeve; atë shfuqizues, konsultativ dhe kushtetues.
Referendumi shfuqizues mundëson shfuqizimin e një ligji ose një pjese të tij. Kurse ai konsultativ, mund të iniciohet nga presidenti ose Kuvendi dhe përmes tij kërkohet mendimi i qytetarëve për ndonjë çështje të caktuar.
Ndërkaq referendumi kushtetues, është ai përmes të cilit Kuvendi mund të organizojë referendum për ndryshime kushtetuese, duke përfshirë edhe dy të tretat e minoriteteve dhe vendeve të tyre të rezervuara.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, thonë se ky projektligj apo organizimi i një referendumi mund të zbatohet në raste specifike që janë në interes të vendit.
Deputeti Elmi Reçica, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë përcaktuar rastet kur Ligji për Referendumin mund të zbatohet në praktikë.
“Është e precizuar se si, në çfarë situata dhe në çfarë momente mund të organizohet një referendum, kjo është specifikë e ligjit. Nëse nuk ka ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë referendumi është valid dhe është i detyrueshëm që të zbatohet”, tha Reçica.
Ai nuk pret që Ligji për referendumin në ndonjë rast të bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Propozuesit kanë pasur parasysh se ligji nuk do të duhej të bie në kundërshtim me Kushtetutën, sepse në momentin që mund të bie në kundërshtim me Kushtetutën pastaj është procedura që duhet të kthehet mbrapa dhe nuk mund të dekretohet si i tillë. Besoj se Gjykata Kushtetuese duhet ta vlerësojë atë pasi ta shqyrtojë e lexojë se a ka ndonjë element apo ndonjë nen të veçantë që mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Reçica.
Në projektligj thuhet se “nëse arrihen të mblidhen 100 mijë nënshkrime nga lista e votuesve, mund të iniciojnë referendum për një çështje të caktuar.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, thekson se nga mënyra se si është hartuar projektligji, ai nuk bie ndesh me Kushtetutën. Projektligji, sipas saj, është është hartuar në përputhje më rrethanat në Kosovë.
“Projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe në rastet kur ka të bëjë me çështjet e Kushtetutës, për shembull për territorin e Kosovës apo për ushtrinë, Kuvendi për ta bërë këtë apo për ta jetësuar atë referendum, i duhen dy të tretat e deputetëve shumicë dhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve të tjera, siç aplikohet ndryshimi i Kushtetutës. Prandaj, nuk bie ndesh me Kushtetutën vetëm se duhet të theksohet fakti se kemi dispozita të tilla të cilat janë instaluar kinse në kuadër të diskriminimit pozitiv, por që në fakt kanë shkaktuar jashtëzakonisht shumë dëm”, tha Haxhiu.
”Kuvendi ose Presidenti i Republikës së Kosovës (me miratimin e Kuvendit) mund të propozojë një referendum konsultativ për një çështje me rëndësi për qytetarët e Kosovës dhe në përputhje me këtë ligj. Rezultatet duhet të jenë jodetyruese”, thuhet pos tjerash në projektligj.
Po ashtu, ne nenin pesë, theksohet se procedurat për fillimin e referendumit shpallen vetëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky projektligj ka për qëllim të definojë rregullat dhe procedurat për referendumet të cilat nuk janë përfshirë në Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës.