Ferizaj, 28 korrik 2025 – Transporti urban në Ferizaj po hyn në një fazë të re zhvillimi, me funksionalizimin e linjës së re D që pritet të nisë brenda muajit gusht. Kjo u bë e ditur në një intervistë të dhënë nga Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Ferizajt z. Alberton Sahiti i cili njoftoi për përparimet dhe sfidat në këtë proces të ri për qytetin.
Linja e re D përfshin disa nga rrugët kryesore të qytetit si: “12 Qershori”, rruga e FSK-së, “Kodra e Sherretëve”, rruga e Nerodimës dhe rruga e Pleshinës. Sipas drejtorit Sahiti, ky është një hap konkret drejt zgjerimit të rrjetit të transportit urban dhe lehtësimit të qarkullimit për qytetarët.
Ndërkohë edhe linjat A dhe B janë në proces përmirësimi. Aktualisht, është shtuar nga një autobus në secilën linjë dhe brenda pak kohësh ato do të funksionojnë edhe me nga katër autobusë secila, ku edhe janë duke punuar që intervali i qarkullimit të jetë çdo 15 minuta.
“Ky është një projekt që për herë të parë po zbatohet në Ferizaj dhe sfidat nuk kanë munguar. Por, deri në shtator, presim që shumica e problemeve të adresohen dhe transporti urban të arrijë standardin e duhur për qytetarët,” theksoi Sahiti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nga java e ardhshme, orari i qarkullimit të autobusëve urban do të ndryshojë nga çdo 30 minuta në çdo 20 minuta si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar efikasitetin e shërbimit.
Një tjetër hap i rëndësishëm është subvencionimi i transportit urban dhe urbano-periferik që është shtuar këtë muaj. Ndërkohë për kategoritë si nxënësit, studentët, pensionistët dhe personat me nevoja të veçanta po punohet për të ofruar udhëtim falas në të ardhmen e afërt.
“Fillimi ka qenë falas për të gjithë qytetarët, por tani, me hyrjen në fazën e dytë të projektit, bileta e udhëtimit do të ketë një çmim simbolik prej 30 cent,” deklaroi Sahiti.
Drejtoria e Shërbimeve Publike vazhdon të angazhohet intensivisht për të adresuar mangësitë dhe për të siguruar një sistem të transportit urban funksional, efikas dhe të përshtatshëm për një qytet si Ferizaj me mbi 120 mijë banorë.