Parlamentet rajonale plotësojnë mesatarisht 63% të kritereve të hapjes. Ky rezultat nuk është i kënaqshëm, sidomos duke pasur parasysh se parlamentet janë organe publike të zgjedhura drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe janë përgjegjës ndaj tyre.
Në bashkëpunim me partnerët e rrjetit ballkanik të organizatave jo-qeveritate ACTIONSEE, Open Data Kosovo (ODK) ka bërë një analizë të politikave publike që e masin nivelin e transparencës, praktikave të hapura, dhe llogaridhënjes së parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Hapja e Parlamentit të Kosovës u mat përmes 102 treguesve/indikatorëve që masin shkallën e hapjes në katër fusha: Qasshmëria, Efikasiteti, Integriteti dhe Transparenca. Parlamenti i Kosovës shënoi 60% në treguesit e hapjes, duke arritur kështu në vendin e dytë në renditjen e kuvendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo qëndron prapa Malit të Zi, i cili udheheqë me 80%, dhe ndan vendin e dytë me Shqipërinë, e cila shënon 60%.
Parlamenti i Kosovës shënoi 47.73% në aspektin e qasshmërisë. Ky rezultat e vë në fund të listës parlamentin në krahasim me vendet e tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Një aspekt që ndikon në këtë rezultat është mungesa e zbatimit të duhur të ligjit për qasje ne dokumente publike siç është mos posedimi i një liste të regjistrave dhe dokumenteve në zotërim të institucioneve, siç kërkohet me ligj. Poashtu edhe mungesa e një mekanizmi për peticione përmes internetit ka ndikuar që Kosova të shënoj dobët në aspektin e qasshmërisë.
Kosova ka shënuar një rezultat prej 50% kur është fjala për efikasitetin në lidhje me planifikimin strategjik si dhe monitorimin parlamentar. Ngjajshëm me gjetjet nga vlerësimi i Pushtetit Ekzekutiv, Parlamenti i Kosovës ka dështuar në monitorimin dhe vlerësimin e efikasitetit të ligjeve, si në ato ligje të cilat janë duke u përgaditur ashtu edhe në ato të cilat tashmë janë në fuqi.
Në vlerësimin e komponentit të integritetit, Kosova ka pasur një rezultat shumë të lartë me 83%, duke u radhitur kështu e dyta pas Malit të Zi i cili ka shënuar 97% në këtë vlerësim. Indikatoret e integritetit kanë matur kodin e etikës, parandalimin e konfliktit të interesit, ligjin e lobimit (nuk aplikohet në Kosovë), dhe deklarimin e pasurisë nga Anëtarët e Parlamentit. Të gjitha këto aspekte janë të rregulluara në bazë të ligjit dhe shërbejnë si një bazë e mire për zhvillimin e integritetit parlamentar.
Në vlerësimin e nivelit të transparencës, Kosova ka arritur rezultatin 60%. Ky rezultat është arritur në bazë të vlerësimit të informacione organizative, prokurimin publik, dhe buxhetin shtetëror. Faktori që e ul rezultatin e Kosovës në këtë kategori për këtë institucion dhe rezultatin e përgjithshëm të vendit është mungesa e transparencës në prokurimin publik si dhe mungesa e trasparencës buxhetore, element ky thelbësor i transparencës dhe qeverisjes së mirë.
Parlamentet e Ballkanit Perëndimor duhet të forcojnë funksionin e tyre përfaqësues nëpërmjet krijimit të kanaleve të komunikimit me qytetarët dhe të përfshijnë këta të fundit në procesin e formulimit të ligjeve. Për më tepër, parlamentet duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë zhvillimit të shërbimeve elektronike. Organet legjislative duhet të jenë të hapura për komunikim me qytetarët dhe të identifikojnë kanalet e përshtatshme të komunikimit, qoftë përmes telefonit, e-mailit ose duke kërkuar të zhvillojnë mënyra më inovative që mundësojnë një komunikim të dyanshëm me qytetarët.