10,07,2025

Transformim rrënjësor në Ferizaj: Investime kapitale në rrugë dhe projekte madhore

Must Read

Ferizaj, 9 korrik 2025 – Komuna e Ferizajt ka përjetuar një transformim të thellë infrastrukturor gjatë viteve të fundit, falë investimeve kapitale që kapin shifrën mbi 30 milionë eurosh. Në një intervistë për ferizajpress, drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, z. Meriton Hajdini, theksoi se vetëm për çdo vit investohen rreth 6 milionë euro në fushën e infrastrukturës, kryesisht këto investime janë adresuar në përmirësimin e rrugëve duke përfshirë edhe ndërtimin e nënkalimit si dhe stacionit të autobusëve që janë realizuar gjatë këtij mandati.

Projekti më i rëndësishëm për qytetin, nënkalimi afër stacionit policor, tashmë është finalizuar dhe ka sjellë përmirësime të mëdha në qarkullim dhe sigurinë e qytetarëve. “Ky projekt ka qenë kërkesë dhe nevojë jetike për qytetin, sidomos për shkak të barrierës që krijonte hekurudha. Sot qytetarët ndiejnë drejtpërdrejt lehtësimin në lëvizje,” deklaroi Hajdini.

Gjatë kësaj periudhe, janë përfunduar një numër i madh rrugësh urbane dhe rurale, përfshirë rrugët: “Ahmet Kaçiku”, “Zenel Hajdini”, “Brigada 161” (ish-rruga Reçakut), “Behxhet Sojeva”, “Nora Kelmendi”, “Kemajl Hetemi” dhe “Gjergj Fishta”. Gjithashtu është finalizuar edhe rruga hyrëse Varosh–Gërlicë, si dhe rrugët kryesore në fshatrat Prelez i Jerlive, Kosinë, Varosh, Zaskok, Fshat i Vjetër, Pleshinë dhe Kashtanjevë.

Puna ka avancuar në shumë lokalitete të tjera si Komogllavë, Greme, Gaçkë, Jezerc, Lloshkobare, Saraishte, Sojevë, Dremjak e të tjerë. Ndërkohë, disa rrugë janë në fazë përfundimtare në Pojatë, Rahovicë, Nerodime dhe Mirash. Deri më tani janë asfaltuar mbi 100 kilometra rrugë në territorin prej 345 km² të Ferizajt.

Në pjesën urbane janë në ndërtim rrugët “Bedri Asllani” dhe “Besim Rexhepi”, të cilat pritet të përfundojnë deri në shtator. Po ashtu, vijojnë punimet në rrugët Babush–Surqinë–Mirash–Cërnillë, Slivovë–Tërrn dhe Lubovc–Koshare.

Drejtori Hajdini vuri në pah se një pjesë e madhe e projekteve janë realizuar me mjete të komunës dhe pa mbështetje direkte nga niveli qendror, përfshirë edhe nënkalimin. Ai shtoi se sfidat kanë qenë të shumta, përfshirë efektet financiare nga kontrata kolektive dhe pengesat në realizimin e planit dinamik, por megjithatë komuna ka dhënë maksimumin për t’i realizuar projektet në kohë.

Sa i përket procesit të prokurimit, drejtori theksoi transparencën dhe përkushtimin për zhvillim të drejtë dhe efikas të iniciativave infrastrukturore. Prioritet kanë qenë rrugët kryesore në qytet dhe fshatra, si dhe zgjerimi i rrjetit për ujërat e zeza në zonat ku ka pasur mungesë.

Ndër prioritetet për të ardhmen, Hajdini përmendi shtimin e shtigjeve për biçikleta dhe krijimin e hapësirave të gjelbra në rrugët e reja. Ai apeloi për kujdes dhe mirëmbajtje të pronave publike, duke theksuar se çdo investim publik është pronë e përbashkët e qytetarëve.

“Gjithmonë kemi punuar me cilësi të lartë dhe synojmë të vazhdojmë me përfshirje të gjerë në të gjitha zonat e komunës,” përfundoi Hajdini./Për FerizajPress: Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Komandanti i Trafikut në Ferizaj e zëvendëson komandantin në Lipjan

Komandanti i Trafikut në Ferizaj, Brahim Shatrolli, është bërë drejtor i stacionit policor në Lipjan. Ky zhvillim vjen vetëm pak...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img