“Ishin paksa më të mirë se fëmijët e tjerë, por jo me ndonjë diferencë kushedi çfarë”, kujton Andi Aihenberger, i cili para 18 vjetësh i mësoi për herë të parë lojën me top Taulantit gjashtë dhe Granitit pesëvjeçar.
Ishte vera e vitit 1998 kur Xhakat e vegjël erdhën në stërvitjen e parë me ekipin Konkordia të Bazelit, por Aihenberger e kujton si të qe dje: “Ishin fëmijë të jashtëzakonshëm; modestë, të edukuar, të sjellshëm dhe paksa të turpshëm në fillim. I solli i ati në stërvitje. Taulanti luante mesfushor, Graniti sulmues”.
Qysh në seancën e parë trajneri pikasi entuziazmin e vëllezërve për topin. “Donin të stërviteshin çdo ditë dhe mezi e prisnin ndeshjen e radhës në kampionat. Për pesë vjet arritëm shumë suksese, por patëm edhe disfata”, thotë tekniku zviceran.
I ati, Ragipi, ishte përherë aty, por asnjëherë nuk ndërhyri në punën e trajnerit. Aihenberger i ruan edhe sot lidhjet me familjen nga Prishtina, ndërsa takohet shpeshherë me Taulantin i cili jeton në Bazel dhe është titullar i padiskutueshëm te kampionët e Zvicrës. “Sa herë më sheh, ndalet e më takon, më pyet si më shkojnë punët. Sot nuk është më ai djaloshi i turpshëm, por një mesfushor i zoti”, thotë trajneri.
Sipas tij, Graniti ka lindur për të qenë udhëheqës në fushë dhe jashtë saj: “Dukej që në fillim që kishte diçka më shumë se të tjerët. Ishte i sigurt në atë që bënte dhe nuk e tërhiqte këmbën në ndërhyrje. Gjithashtu kujdesej për të vëllanë dhe shokët e skuadrës. Ia bënte gati çantën Taulantit para stërvitjes dhe kujdesej që të dy të ishin në kohë për stërvitje. Qysh në krye të herës Graniti ishte shumë i pavarur”.
Aihenberger kujton edhe se si ai vetë kujdesej për ta duke ua lidhur këpucët dhe duke u dhënë këshilla gjatë rrugëtimit të tyre. “Ajo që ka më shumë rëndësi është se ata kënaqeshin duke luajtur futboll”, thekson tekniku nga Bazeli.
.