Ferizaj.06.10.2017. Kandidati për kryetar komune nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli, ka vizituar Njësinë e Zjarrfikësve në Ferizaj. Me këtë rast, pretendenti për të parin e komunës, tha se në 31 zotimet e tij bën pjesë edhe ky institucion.
“Puna e parë është që të ketë qasje, zjarrfikësit duhet të kenë qasje të ujit, s’ka hidrant në qytetin e Ferizajt, pra është premtimi i parë, zotimi i parë që ne do ta realizojmë që nga dita e parë e qeverisjes sonë, të tjerat pastaj do t’i diskutojmë e do t’i bëjmë bashkë me zjarrfikësit, sepse buxheti i komunës nuk është buxheti i kryetarit të komunës, kryetari i komunës e ka për detyrë të menaxhoj buxhetin, për neve si Lëvizje është e rëndësishme çështja e sigurisë dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë me zjarrfikësit dhe do të angazhohemi maksimalisht që t’ua rregullojmë kushtet e punës dhe këta të pajisen me mjete të nevojshme të punës”, tha Topalli.
Ndërsa, komandanti i brigadës zjarrfikëse në Ferizaj Halil Osmani, i tregoi Topallit problemet me të cilat ballafaqohet ky institucion.
“E kam obligim me i pritë të gjitha partitë, të gjithë kandidatët që konkurojnë për pozitë të kryetarit dhe ka me vazhdu me i pritë secilin që vjen këtu, e njoftova Fatonin sot për të gjithë situatën dhe gjendjen tonë shumë të mjerueshme që është një gjendje katastrofike, për të gjitha situatat, çdo gjë që është për momentin në njësinë zjarrfikëse ja thashë dhe do t’ia them të gjithëve”, tha Halil Osmani.
“Kështu që mas katër viteve na e përkujton a i kemi realizuar apo jo’’, tha Topalli
“Ishalla ishalla, po mu keni ba krejt njejtë”, tha Osmani.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, përmendi edhe objektin e ri të zjarrfikësve, që ende nuk është në funksion, për të cilin tha se nëse Vetëvendosje merr pushtetin, odisea e këtij objekti do të marr fund./TV Tema