Ferizaj.23.09.2017. Sot kandidati për kryetar të Ferizajit nga Lëvizja Vetëvendosje vizitoi vendin ku ishte çerdhja e qytetit, dhe para qytetarëve prezantoi planin e tij për ndërtimin e çerdhes së re, duke shtuar se fati i punësimit të femrës ferizajase që ka përfunduar studimet dhe është bërë nënë varet pikërisht nga ekzistimi i çerdheve. “Çerdhet janë nevojë e qytetarëve, sidomos tani kur brenda qytetit nuk kemi asnjë, ndërsa kemi vetëm dy jashtë qytetit. Në planin tonë zhvillimor synojmë që për çdo 24 muaj të ndërtojmë nga dy çerdhe, dhe kështu mendojmë se do ta plotësojmë mungesën e çerdheve brenda qytetit. Nëse nënat kanë ku t’i dërgojnë fëmijët e tyre gjatë ditës, ato do të mund të punësohen dhe t’i ndihmojnë familjes së tyre”, tha ndër të tjera Faton Topalli, kandidat për kryetar të Ferizajit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai gjithashtu shtoi se përveç çerdhes në atë hapësirë do të bëhet edhe një hapësirë rekreative, pra një park ku gjyshërit dhe gjyshet do të kalojnë kohën e lirë me nipër e mbesa.
Gjatë ecjes nëpër qytet, kandidati për kryetar, Faton Topalli, ndalej vazhdimisht nga qytetarët e shumtë, të cilët shprehnin mbështetjen e tyre ndaj Lëvizjes dhe kryetarit Topalli, si dhe nevojën për ndryshim në Ferizaj.