19,12,2024

Togeri Agim Gashi jep raportin e fundit si zëdhënës i Policisë – pensionohet pas 40 vjetësh

Must Read

Në ditën kur mbushi 65 vjeç, Agim Gashi bëri edhe raportimin e fundit të tij si zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt. Në sallën që ishte mbushur me kolegë, familjarë dhe miq të tij, Gashi me emocione të shumta tha se gjendja në Ferizaj ka qenë stabile në 24 orët e fundit, dhe se ky ishte raportimi i fundit i tij si zëdhënës i Policisë para se të kalonte në pension.

Për togerin Gashi fjalë të mira patën edhe kolegët e tij, të cilët ndanë mirënjohje e disa dhurata për të.

Togeri Gashi i cili për 40 vite shërbeu në Policinë e Kosovës, deklaroi se ajo çfarë po përjeton është e papërshkrueshme.

“Për momentin jam tu ndi shumë mirë, është përjetim i papërshkrueshëm dhe më vjen mirë që jam tu e prit ketë pension me shëndet të mirë, me shokë të mirë, me përcjellje të mirë. Momente të mira ka pasur shumë por në përgjithësi nuk mundem me i dallu, qëllimi gjatë kësaj kohe ka qenë ndihma ndaj popullit, në raste të ndryshme, prandaj nuk mund t’i dallojë”, ka thënë ai.

Gashi shtoi tutje se qëllimi dhe preokupimi i Policisë ka qenë që t’i shërbejë popullit pa marrë parasysh çfarë rasti është.

Duke folur për punën e tij në Policinë e Kosovës, Gashi tha se do t’i mungojë aktiviteti që ka pasur.

“Do të më mungojë aktiviteti, pasi që puna në Polici është dinamike në terren e me gazetarë. Prapë së prapë nuk do të mungojë aq shumë pasi që për 40 vjet kam shërbyer, dhe nuk do të ndahem nga kolegët dhe do t’i vizitojë më shpesh e do të kemi kontakte”, u shpreh ai.

Gashi gjatë intervistës për Telegrafin potencoi se gjatë kësaj kohe ka pasur përkrahjen e familjes, duke shtuar se pa përkrahjen e familjes ky profesion është i vështirë.

“Falënderoj familjen që më ka përkrahë, dhe në këtë aspekt nuk kemi pasur probleme, pa një familje të shëndoshë ky profesion është i vështirë”, potencoi ai.

Ndërkaq, drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Basri Shabani tha se Gashi ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm të lartë.

“Agim Gashi punën në Policinë e Kosovës e ka nisur në viti në vitin 1981, ku ka vazhduar deri në vitin 1990 kur është larguar nga puna nga pushteti i atëhershëm dhe masat e dhunshme të asaj kohe. Sikur pjesa dërrmuese e policëve shqiptar të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me shtypjen dhe regjimin e asaj kohe që i bënin popullit shqiptar, për këtë Agimi u përndjek dhe u dënua me 1 vit e gjysmë burgim, pas çlirimit në vitin 2002 Agimi filloi punën si polici i Policisë së Kosovës, ku shërbeu me përkushtim e profesionalizëm të lartë”, ka thënë Shabani.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img