Gazeta e njohur amerikane The New York Times i ka kushtuar vëmendje ndeshjes vendimtare për Botërorin, në të cilën Kombëtarja e Kosovës u mposht nga ajo e Turqisë me rezultat minimal 0-1.
Sipas “The Athletic”, platformë sportive e kësaj gazete, pavarësisht humbjes, Kosova pritet të këndellet dhe të bëjë përpjekje të reja për kualifikim në turnetë e ardhshëm, transmeton Klankosova.tv.
Mediumi amerikan ka raportuar edhe për atmosferën që mbretëroi gjatë së martës në Prishtina, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të mëdha sportive në historinë e vendit.
“Prishtina ishte mikëpritëse për tifozët turq, mirëpo nikoqirllëku nuk shërbeu për një natë të mirë të ekipit vendas. Fansat e tyre e bënë të pamundurën që kombëtarja jofavorite në këtë takim të bënte përpjekjen historike për të siguruar Botërorin e tyre të parë”, shkruan gazeta.
Më tej theksohet se atmosfera nisi shumë herët gjatë ditës, duke reflektuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje për tifozët kosovarë.
“The New York Times” shkruan se kosovarët kishin shpresa të mëdha për sigurimin e një bilete në FIFA World Cup 2026, pjesërisht edhe për shkak të lidhjes historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në artikull gjithashtu përmendet edhe ndikimi amerikan në Kosovë, duke përfshirë bulevardin dhe statujën e Bill Clinton në Prishtinë, si dhe këngën e njohur “Thank you, USA”, të frymëzuar nga roli i administratës së tij në ndërhyrjen e NATO në vitin 1999.
Në përmbyllje, “The New York Times” thekson se Kosova do të rikthehet, por kjo ndeshje mbetet një natë për t’u harruar në Prishtinë.

