Ai përmes një postimi në facebook ka shkruar se kjo marrëveshje është dëshmi se të gjitha problemet mund të zgjidhen me dialog.
Thaçi ka thënë se Kosova siguron të drejta të gjithë qytetarëvet të saj pavarësisht përkatësisë etnike.
Postimi i plotë i Thaçit:
Marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje.
Kjo është rruga e duhur që duhet ta ndjekim të gjithë, sepse vetëm me angazhim të përbashkët mund ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë dhe mund ta forcojmë edhe paqen e stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin.
Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika urrejtëse dhe interferimet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë.
Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë. /Lajmi.net