27,11,2024

Testi raketor i Koresë së Veriut, sinjal i ri shqetësues (Video)

Must Read

Ushtria amerikane dhe ajo koreano-jugore kanë diktuar lëshimin të mërkurën në mëngjes të një rakete balistike nga baza detare pranë Sinpos në provincën Hamgyong Jugor në brigjet lindore të vendit.

Analiza fillestare tregon se ishte një raketë balistike me rreze të mesme veprimi e tipit KN-15. Komanda e Mbrojtjes Aero-Hapsinore për Amerikën e Veriut (NORAD) arriti në përfundimin se raketa nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut.

Shefat e Shtatmadhërisë në Korenë e Jugut thanë përmes një deklarate se Korea e Veriut kishte hedhur një raketë balistike në drejtim të ujërave lindore dhe se raketa kishte përshkuar një trajektore prej 60 km.

Vështirë të neutralizohen

Prova e së mërkurës përfaqëson një ndryshim nga raketa të thjeshta të gjeneratës së parë me lëndë djegëse të lëngshme, në raketa më të avancuara me rreze të mesme që përdorin lëndë djegëse të ngurtë që janë më të vështira për t’u diktuar para se të lëshohen, tha Jeffrey Lewis, drejtor i Programit të Mospërhapjes së Armëve në Azinë Lindore në Institutin Middlebury në Kaliforni.

“Raketa KN-15 mund të dislokohet në nëndetëse ose në një automjet në tokë. Ajo përfaqëson ndryshim të madh në programin koreano-verior të raketave balistike. Po largohen nga raketat me lëndë djegëse të lëngshme drejt raketa me lëndë djegëse të ngurtë që diktohen më me vështirësi dhe vihen në përdorim shumë më lehtë dhe më shpejt,” thotë zoti Lewis.

Raketat me lëndë djegëse të ngurtë mund të mbahen në bunkerë të fshehur dhe të dislokohen me shpejtësi, para se të diktohen nga radarët. Raketat me lëndë djegëse të lëngshme kanë nevojë të mbushen para lëshimit, gjë që kërkon një numër mjetesh që mund të tërheqin vëmendjen dhe reagimin e forcave rivale.

Anti-THAAD

Lëshimi i raketës të mërkurën dëshmoi se Pheniani mund të kryejë sulme nga një numër pikash me një arsenal prej rreth 100 platformash lëshuese, secila e aftë të mbajë disa raketa.

Katër provat e fundit të Phenianit u kryen nga katër pika të ndryshme. Më 12 shkurt në veriperëndim të vendit u lëshua një raketë e tipit Polaris-2.

Me këto prova Pheniani po tregon se mund të neutralizojë kapacitetet e sistemit THAAD të mbrojtjes nga raketat që amerikanët po dislokojnë në Korenë e Jugut. Ky sistem që përdor një radar të fuqishëm për të diktuar hedhjen e raketave mund të bllokohet nga një sulm masiv me raketa nga Korea e Veriut.

Gjithashtu, lëshimi i raketës nga pika pranë bazës së nëndetëseve mund të tregojë se Korea e Veriut po punon për të zhvilluar kapacitetet për lëshimin e raketave nga nëndetëset.

Në gusht, Korea e Veriut lëshoi me sukses një raketë nga një nëndetëse që përshkoi një trajektore prej 500 km drejt Japonisë. Por Admirali Scott Swift, Komandant i Komandës Amerikane për Paqësorin tha se Phenianit ende i duhen disa vjet për të zhvilluar kapacitete funksionale për të lëshuar raketat nga nëndetëset. Por këto kapacitete do t’i jepnin Phenianit mundësinë të lëshonte raketa jashtë rrezes të veprimit të sistemit THAAD të mbrojtjes nga raketat.

Takimi Trump-Xi

Prova e së mërkurës u krye vetëm 48 orë para se Presidenti Trump të takohet me Presidentin e Kinës Xi Jinping për të diskutuar ambicjet bërthamore të Phenianit.

Lëshimi i raketave me teknologji balistike përbën shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB, por Pheniani i ka sfiduar rezolutat, duke i cilësuar si shkelje të të drejtave të tij sovrane për vetëmbrojtje dhe për eksplorim të hapësirës.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson nxori një deklaratë në lidhje me provën e fundit të Phenianit: “Shtetet e Bashkuara kanë folur mjaft për Korenë e Veriut. Nuk kemi komente të mëtejshme”.

Ministria e Jashtme koreano-jugore e dënoi provën sin jë “akt kërcënues ndaj paqes dhe sigurisë, jo vetëm në Gadishullin Korean, por në të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.

Prova e së mërkurës u zhvillua pasi Presidenti Trump u shpreh se SHBA po përgatiten të veprojnë vetë në përgjigje të kërcënimit koreano-verior, nëse Kina nuk reagon.

Të hënën, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut sulmoi Uashingtonin për tonin kërcënues dhe për manovrat ushtarake që zhvillon bashkarisht me trupat koreano-jugore dhe japoneze, që Pheniani i konsideron si prova gjenerale për pushtim.

Këto “veprime të pamatura” po e çojnë situatën e trazuar në Gadishullin Korean në “prag të luftës” tha një zëdhënës i ministrisë koreano-veriore, siç citohet nga agjencia e lajmeve KCNA.

Agjencia koreano-jugore e zbulimit paralajmëroi në fund të marsit se Pheniani mund të vërë në provë një mjet bërthamor për të hedhur hije mbi takimin e nivelit të lartë SHBA-Kinë. /VoA

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img