Tërhiqen nga funksioni njehsorë, ora e të cilëve s’përputhej me kohën

Share

Janë tërhequr nga funksioni njehsorët elektrikë që janë vërejtur se ishin në mospërputhje me kohën, njoftoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Komisioni i posaçëm i themeluar nga MINTI për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut të mërkurën dhe ka identifikuar njehsorët.

“Njehsorët, që janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti, sipas ministrisë.

Ndërkohë, MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Të ngjashme: