Se Teatri “Adriana” në Ferizaj është një nga teatrot me prodhimtarinë më të madhe skenike po dëshmohet çdo ditë me angazhimin e trupës së shkëlqyeshme të aktorëve të teatrit tonë, angazhimin e regjisorëve të mirënjohur dhe punën e palodhshme të stafit menaxherial e teknik të institucionit.
Së fundmi, pak ditë pas premierës së shfaqjes “Hanibali i Nëntokës” me regjisor Fatlum Hazirin, pa pushuar, nisi punën një produksion i ri i Teatrit “Adriana”, ai i shfaqjes “Kopraci” nga Molieri me regjisoren Elmaze Nura.
Regjisorja e kësaj shfaqje para pak ditësh, ka përzgjedhur ekipin e shfaqjes në përbërje të aktorëve ferizajas: Jajush Ramadani, Vjosa Abazi, Mevlan Saraçi, Milot Salihu, Doruntina Xhemajli, Sherif Bega, Ali Krasniqi, Uratë Shabani dhe Blin Sylejmani.
Ekipi i shfaqjes pa ndërprerë, çdo ditë me entuziazëm po realizon provat e para, duke përparuar dukshëm për vetëm pak ditë nga nisja e këtij projekti.
Teatri “Adriana” këtë vit synon që të realizoj 4 premiera, një volum i jashtëzakonshëm ky i punës vjetore, prodhime këto që financohen drejtpërdrejt nga Komuna e Ferizajt që publikut ferizajas, në mënyrë të vazhdueshme t’i sjellin vepra cilësore e shfaqje të nivelit të lartë, falë punës profesionale të menaxhmentit, trupës së aktorëve dhe mbikqyrjes nga Këshilli Drejtues të teatrit tonë.
Në ndërkohë sa po vijon repertori i rregullt i Teatrit “Adriana” me shfaqje nga qendra të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, brenda pak javësh do të jepet edhe premiera e shfaqjes “Kopraci” nga regjisorja e mirënjohur, Elmaze Nura.
Aktorët ferizajas së shpejti do të ngjiten në skenë për t’i ofruar publikut një ndër kryeveprat botërore, “Kopracin” nga Molieri.