Kushti i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën i vënë nga Komisioni Evropian, mbetet ratifikimi nga Kuvendi i Kosovës i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Mënyra se si është menaxhuar kjo çështje deri më tash nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, ka krijuar dilema te të rinjtë nëse liberalizimi i vizave do të bëhet gjatë këtij viti.
Në rubrikën e përjavshme për të rinjtë “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë e anketuar japin mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje, ndonëse shumica prej tyre janë pesimistë se kushti i fundit për liberalizim vizash do të plotësohet.
Pranvera Morina, 22- vjeçare, e cila studion në Universitetin e Prishtinës, dega Psikologji, pret që zbatimi i liberalizimit të fillojë nga ky vit.
“Unë mendoj se po, do të bëhet liberalizimi i vizave. Mendoj që Qeveria po punon, pasi është bërë edhe rekomandimi, besoj se së shpejti do të kemi edhe liberalizimin”, thotë Pranvera.
Por, jo të gjithë presin që liberalizimi do të bëhet këtë vit.
Arlinda Shala mendon se liberalizimi do të bëhet, por mund të ketë shtyrje për një kohë.
“Liberalizimi do të bëhet gjithsesi, por se kur, kjo është pikëpyetje. Unë mendoj se do të shtyhet edhe një vit, apo një vit e gjysmë. Sa i përket demarkacionit, e që është i vetmi kusht që duhet të plotësohet, Qeveria nuk e di a po punon në këtë drejtim, ndoshta fshehurazi po, por ashtu si po dëshiron populli jo”, shprehet Arlinda.
Ka edhe të atillë që nuk dinë shumë për këtë çështje dhe thonë se politika nuk u intereson.
Besa, një 21-vjeçare nga Prishtina, nuk shpreh interesim që të flasë për politikë.
“Nuk e di. Ne politikë nuk marr vesh aspak”, thotë Besa.
Elbasan Gashi studion në Fakultetin Ekonomik dhe është në vitin e dytë. Ai shprehet pesimist lidhur me liberalizimin e vizave, dhe nuk pret që këtë vit qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.
“Nuk e besoj se Qeveria po punon në këtë drejtim. Andaj s’e besoj se do të ketë këtë vit as liberalizim të vizave”, thotë Elbasani.
Edhe Sylejman Dula, student i Stomatologjisë, ka mendim të ngjashëm me parafolësin, duke u shprehur se nuk ka shumë gjasa për lëvizje të lirë, në vitin 2016.
“Nuk ma merr mendja që këtë vit do të bëhet liberalizimi. Ka qenë kusht edhe demarkacioni, por mendoj se pak po punohet lidhur me demarkacionin, e që ka mbetur i vetmi kusht për t’u plotësuar, në mënyrë që Bashkimi Evropian të marrë vendim që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm”, shprehet Sylejmani.
Pesimiste shprehet edhe Luljeta Morina, 25-vjeçare, sipas së cilës ndonëse janë plotësuar gjitha kushtet e parashtruara nga BE-ja, përveç demarkacionit, Kosova është në gjendje të rëndë në shumë aspekte.
“Ndoshta është premtuar, por duke e marrë parasysh gjendjen në Kosovë, nuk mendoj se do të liberalizohemi. Korrupsion kudo, gjendja e rëndë ekonomike, janë shumë fusha që mendoj se duhet të kenë qasje tjetër udhëheqësit tanë, në mënyrë që të përmirësohet gjendja aktuale, e cila mendoj se është mjaft e rëndë. Nuk mendoj që liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2016”, thekson Luljeta.
Ndryshe, ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë disa herë se pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë që në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Schengen.
Sipas tij , kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen pasi është arritur të përmbushen kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së./Radio Evropa e lire