Në fshatin Nerodime të Ferizajt të dielën do të mbahen garat automobilistike në disiplinën malore. Në këtë garë e cila poentohet në kuadër të Kampionatit të Kosovës për vitin 2018, mund të marrin pjesë vetëm vozitësit që posedojnë licencë garuese të njohur nga FASK dhe FIA e vlefshme për vitin 2018.
“Meqenëse Ferizaj gjithmonë garën e ka mbajtur në regjionin e Brezovicës ka qenë larg nga këtu dhe vizitorët kanë qenë në numër më të vogël, ndërsa tani po shpresojmë që interesimi do të jetë më i madh për shkak që kjo pistë në Jezercë është afër dhe është një sport që të sjell adrenalinë, vet pikëpamja natyrore që është aty të jep mundësi që veturat të shikohen nga distanca dhe të shijohet adrenalina që jep ky sport, ka hapësirë edhe për publik e piknik, meqenëse vetëm ka filluar pikniku pasi garuesit e qyteteve të tjera tashmë kanë vendosur tenda për me e ushtru pistën, u ka pëlqy të gjithëve garuesve kjo pistë”, tha Burim Asllani.
Asllani duke treguar detajet e organizimit të kësaj gare, tha se një ditë para zhvillimit të garës do të bëhen përgatitjet në mënyrë që garuesit të njihen me terrenin.
“Starti do të jetë nga Nerodimja deri në Jezercë, 4800 metra do të jenë dy xhiro, rruga është shumë e mirë është terren shumë i përshtatshëm për këtë sport, kërkesa na u është aprovuar edhe nga komuna, policia si dhe zjarrfikësit, kemi kërkuar edhe të bëhet një mirëmbajtje që të pastrohet shtegu një ditë para garës dhe shpresoj që edhe kjo të bëhet”, tha Asllani.
Në garat automobilistike që do të zhvillohen në aksin rrugor Nerodime-Budakovë do të marrin pjesë 50 garues, transmeton Televizioni Tema.