Të dashur bashkëqytetarë
Sot u bënë 19 vite nga bombardimi i NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe, sulm ky që i dha përgjigjen e merituar okupatorit serb i cili bëri krime kundër njerëzimit në vendin tonë, ndaj popullatës së pafajshme civile.
Lufta e djemve dhe vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bombardimi i NATO-s kulmoi me çlirimin e Kosovës duke trasuar qartë rrugën tonë të lirisë dhe pavarësisë.
Republika e Kosovës, populli i Kosovës, përherë do t’i jetë mirënjohës dhe falënderues qendrave të vendosjes ndërkombëtare me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhimi i së cilëve arriti të ruaj dhe shpëtoj substancën tonë kombëtare nga makineria vrastare serbe.
Në përkujtim të kësaj date, sot mora pjesë edhe në një aktivitet tradicional të organizuar nga Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” të titulluar “Kafja e miqësisë”, pjesëmarrës në të cilin ishin edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, FSK, KFOR-it dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme shoqërore e politike në Ferizaj.
Ferizaj, paraqet njërën ndër qendrat më të rëndësishme ushtarake të KFOR-it amerikan në Ballkan të pozicionuar në Kampin Ushtarak Bondsteel.
I jemi mirënjohës përherë gjakut të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, vullnetit të hekurt ndërkombëtar që Kosova të gëzoj lirinë dhe pavarësinë e saj.
Edhe tani në paqe, populli i Kosovës i është falënderues trupave të KFOR-it të cilët angazhohen për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë dhe paqen kudo në vend.
Zoti e ka bekuar Kosovën me miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qendrat kryesore politike e ekonomike evropiane.
Me respekt,
Agim Aliu
Kryetar i Komunës së Ferizajt