Ferizaj.09.01.2018.
Kryetari i LDK-së në Ferizaj Muharrem Svarqa në një konferencë për media ka reaguar pas akuzave se gjatë qeverisjes katërvjeçare i ka lënë borxhe milionëshe komunës së Ferizajt.
Me këtë rast Svarqa ka thënë se ato për të cilat thuhet se janë borxhe janë vetëm projekte dy e tri vjeçare dhe nuk mund të llogariten si borxhe. Svarqa në këtë konferencë ka dhënë një analizë të borxheve për të cilat po flitet ditëve të fundit.
Komunikatën e plotë të Muharrem Svarqës mund ta lexoni në vazhdim.
Qeverisja e re e Komunës së Ferizajt e ka filluar mandatin me ankesa, duke dashur të krijojë mbulesë për dështimet eventuale. Me ta marrë pushtetin, qeverisja e re nisi ankesat e përditshme për borxhet e trashëguara nga qeverisja paraprake, duke i fryrë shifrat dhe duke u përpjekur të krijojë frikë tek qytetarët, me shifra marramendëse. Edhe ky veprim duket se ka për qëllim të arsyetojë dështimet eventuale në qeverisje. Dëshiroj të sqaroj se kontratat e lidhura për projektet dy dhe trivjeçare, nuk janë borxhe, por janë vazhdimësi e projekteve infrastrukturore, për të cilat janë të parapara mjetet në buxhetin e këtij viti dhe në Kornizën Afatmesme Buxhetore.
Komuna e Ferizajt, siç është sqaruar edhe më parë, pas procedurave të prokurimit, gjatë viteve 2016 dhe 2017, ka lidhur kontrata të kësaj natyre me operatorët ekonomik, në vlerë 37.675.984 euro. Prej tyre projekte në vlerë 29.588.358 euro vazhdojnë të realizohen gjatë këtij dhe vitit 2019. Kjo shumë nuk është borxh, sepse punët ende nuk janë kryer, ndërsa shumat për kryerjen e tyre janë të planifikuara.
Madje 10.947.670 euro tashmë janë aprovuar në buxhetin e Republikës së Kosovës për 11 projekte infrastrukturore të Ferizajt, vetëm nga Ministria e Infrastrukturës dhe për këto projekte Komuna e Ferizajt nuk e jep asnjë cent. Ajo vetëm i ka udhëhequr procedurat deri në lidhjen e kontratave, sipas marrëveshjeve paraprake me këtë ministri.
Meqë jemi te përfitimet e Komunës së Ferizajt me projektet që i kemi fituar nga konkurrimi në ministritë përkatëse gjatë qeverisjes paraprake, dëshiroj t’i njoftoj qytetarët se në buxhetin e Kosovës janë të planifikuara edhe 1.275.560 euro për katër projekte, për të cilat procedurat i udhëheq Ministria e Infrastrukturës. Nga MKRS kemi përfituar edhe 1.937.482 euro për dy projekte, nga Ministria e Shëndetësisë – 7.967.000 euro për spitalin rajonal dhe 25.000 euro për Institutin Rajonal të Shëndetit Publik, si dhe 500 mijë euro nga Ministria e Arsimit për ndërtimin e një shkolle.
Të gjitha këto projekte janë në buxhetin e Kosovës dhe janë publike. Shuma e tërësishme e këtyre projekteve është 22.652.712 euro, të cilat i vijnë Ferizajt si dhuratë nga qeverisja e kaluar. Kushdo që dëshiron, mund t’i gjejë lehtë në listën e buxhetit të miratuar të Kosovës. Me këto projekte, kjo qeverisje që sot po ankohet, nesër mund të krenohet, sepse nuk përjashtohet mundësia që sipas logjikës tashmë të njohur të përvetësimit të punës së të tjerëve, t’i përvetësojë si projekte të vetat. Si përfundim, mund të them se borxhet reale në ditën e dorëzimit të mandatit të qeverisë së kaluar, sipas faturave të arritura, kanë qenë 2.006.290 euro.Na vjen keq që në vend të punës me përkushtim, kjo qeverisje e filloi mandatin me ankesa të panumërta.
Duket se nuk po mund të çmësohet nga zakoni i të bërit opozitë, një punë që e ka bërë me zell për katër vite.