Të dashur nxënës, punonjës të arsimit, prindër dhe qytetarë të Ferizajt!
Në këtë fillim të vitit të ri shkollor, dëshiroj t’ju uroj shëndet, nisje të mbarë të betejës për dije dhe edukim, vullnet për mësim e punë dhe përkushtim në realizimin e synimeve tuaja. Dëshiroj t’ju inkurajoj që ta merrni më seriozisht mësimin dhe punën në shkollë, kujdesin për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve, ta jetësoni edhe më shumë idenë për shkollën si vendi i brumosjes së karaktereve që i përballojnë me kurajo e durim vështirësitë që dalin jo vetëm gjatë shkollimit, por edhe gjatë jetës.
Dëshiroj t’ju inkurajoj që në shkollat tona të bëhet më shumë për formësimin e profesionistëve të ardhshëm, të cilët do ta bartin barrën e zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor, shëndetësor, arsimor, artistik e sportiv. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë rol të shkollës, nuk na mbetet tjetër pos të investojmë tërë mundin, dijen dhe përkushtimin që shkolla ta kryejë misionin e vet.
Komuna e Ferizajt i ka bërë të gjitha përpjekjet që, brenda mundësive që ka, t’u mundësojë nxënësve hapësirë më të gjerë e më cilësore dhe kushte më të mira pune e mësimi. Jemi duke punuar edhe më tej në këtë aspekt dhe do të punojmë në vazhdimësi. Ndaj, kërkojmë mbështetjen e nxënësve, punëtorëve të arsimit dhe të qytetarëve, që së bashku, ta ndërtojmë një shkollim më cilësor, i cili do të ishte konkurrent me vendet e përparuara.
Ju uroj të gjithëve vitin e ri shkollor 2016-2017!
Muharrem Svarqa
Kryetar i Ferizajt